Gerveni i pandehur në gjykatë

23/10/2014 00:00

Ish-atashehu ushtarak i Shqipërisë në NATO përgjatë viteve 2011-2014, kundëradmiral Kristaq Gerveni përfundon i pandehur në Gjykatën e Tiranës për akuzën e pranimit të favoreve ushtarake.

Sipas kërkesës për gjykim, kundëradmiral Gerveni në tre takime të rëndësishme dyshohet se ka mbajtur pa të drejtë uniformën me grada më të larta se ato të dekretuara nga presidenti në vitin 2009.

Por ndërsa për prokrorinë rezulton se zoti Gerveni mban mbi supe gradën e kundëradmiralit, gjatë periudhës që shërbente pranë NATO-s ai shfaqej në datat 22 janar dhe 23 janar 2014 me një uniformë tjetër dhe gradat e admiralit.

Ky abuzim, sipas prokurorisë, ka ndodhur në takimin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, zhvilluar mes shefave të shtabeve.

Për prokurorinë, ky veprim bie në kundërshtim me dekretin e presidentit, si dhe me rregulloren e uniformave të Forcave të Armatosura.

Sipas prokurorisë, kundëradmirali e ka konsumuar një shkelje të tillë edhe më 22 tetor 2013, gjatë një takimi bilateral të mbledhur në selinë e NATO-s mes sekretarit të përgjithshëm dhe ministrit të Mbrojtjes.

Sipas prokurorisë, mbajtja e shenjës dalluese ‘admiral’ në kundërshtim me ligjet është kryer botërisht e për këtë prokuroria u referohet si prova shkresave të dërguara nga Ministria e Mbrojtjes, por edhe procseverbaleve të këqyrjes në web site-in e NATO-s, ku kundëradmirali shfaqet me kostumin e admiralit.

Në muajin prill të këtij viti, presidenti Bujar Nishani dekretoi lirimin nga detyra të kundëradmiral Gervenit pas muajsh të tërë përplasje mes ushtarakut të lartë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, atëherë kur ky institucion firmosi kthimin e tij në atdhe.

Top Channel