PD: Shembja e ndërtimeve, selektive

23/10/2014 00:00

Partia Demokratike thotë se qeveria po bën prishje selektive të ndërtimeve dhe se ato që po u shpëtojnë fadromave të INUK-ut janë prona të klientelës qeveritare.

Deputeti Luçiano Boçi paraqiti 3 raste, nëpërjmet fotove, ku siç tha ai të preferuarit e pushtetit mbrohen sipas parimit se ‘ligjin e bën Maliqi’.

“Në këtë foto dallojmë një lokal përballë Inxhinierisë së Ndërtimit, që i ka mbijetuar shembjes. Të gjitha godinat e tjera janë rrafshuar, vetëm kjo ka mbetur. Qytetarët janë dëshmitarë të dy standardeve të Edi Ramës. Kjo shtesa këtu, përballë Maternitetit të Ri, është pa leje dhe ka zënë hapësirë publike. Nuk është shembur sepse pronari i saj është i lidhur me Edi Ramën dhe ligji nuk bën më efekt. Ky lokali këtu po hedh shtat në një zonë të qytetit të Shkodrës, ku nuk është ndërtuar asnjëherë. Po lejohet sepse është marrë në mbrojtje nga një deputet i mazhorancës, mik me Edi Ramën”, deklaroi Boçi.

Sipas Partisë Demorkatike, raste të tilla favorizimi dhe moszbatimi të ligjit njësoj për të gjithë ka me qindra në të gjithë vendin. Dhe sipas opozitës, qytetarët nuk duhet ta pranojnë këtë realitet, por të ngrihen në proteste kundër padrejtësisë qeveritare.

“Partia Demokratike do të jetë në krah të qytetarëve për të ndalur këtë dhunë mafioze të kapobandës Kryeministër, i cili po shkel me këmbë mundin e djersën e shqiptarëve, në kohën kur papunësia është rritur, taksat janë rritur, çmimet janë rritur dhe varfëria ka pllakosur vendin. Ky është Edi Rama dhe standardet e tij. Nëse je kriminel të mbron e të bën deputet, nëse ke një dyqan që mban familjen, të hedh në rrugë”, u shpreh Boçi.

Top Channel