Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç u shpreh i kënaqur nga konferenca e Ministrave të Ballkanit Perëndimor e zhvilluar në Beograd.

“Takimi u zhvillua në një atmosferë të mirë dhe është një sinjal i ndryshimeve në shtetet e Ballkanit. Serbia është e kënaqur për organizimin e kësaj konference”, deklaroi Ministri Daçiç në konferencën e përbashkët për shtyp në fund të takimit.

Më tej Daçiç tha se takimi i ardhshëm i ngjashëm do të zhvillohet në Kosovë, sapo Prishtina të ketë qeverinë e re.

Në punimet joformale të konferencës merrnin pjesë edhe dy ministrat e qeverisë së Kosovës, ai i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili.

Ministri Hoxhaj u shpreh i kënaqur nga takimet e mbajtura, ndërsa tha se shpresonte që në takimin e Prishtinës të merrnin pjesë edhe ministrat serbë.

Konferenca mblodhi Ministrat e Zhvillimit Ekonomik dhe ata të Punëve të Jashtme, të cilët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe rrugën drejt BE-së.

I pranishëm në punime ishte edhe Komisioneri në largim i Zgjerimit, Stefan Fyle. Në konferencën për shtyp ai vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, ndërsa interesimit të gazetarëve serbë për Kosovën iu përgjigj duke thënë se Bashkimit Europian nuk i kërkon Beogradit njohjen e pavarësisë, por përmirësimin e marrëdhënieve.

Top Channel