AP: Kryeministri shqiptar synon të ulë tensionet me Serbinë

23/10/2014 00:00

Në një intervistë dhënë për “Associated Press” Kryeministri Edi Rama është shprehur se Shqipëria synon t’i japë fund dekadave të tëra armiqësi me Serbinë për të hapur një kapitull të ri marrëdhëniesh mes dy vendeve duke u përqendruar tek çështje madhore si dëshira e përbashkët për t’iu bashkuar Bashkimit Europian.

Edi Rama pritej të zhvillonte një vizitë historike në Serbi, këtë të mërkurë më 22 Tetor, e para e një lideri shqiptar në Beograd prej afro 70 vitesh, si pjesë e përpjekjeve për të ulur tensionet e shkaktuara prej luftrave që nisën pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Por, udhëtimi është shtyrë për më 10 Nëntor, pas incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes mes dy kombëtareve javën e kaluar, që nuk arriti të përfundonte për shkak të trazirave në fushë dhe fluturimit të një droni që mbante një baner shqiptar mbi stadiumin Partizani të kryeqytetit serb.

Në intervistën e tij për “Associated Press”, këtë të mërkurë, Rama, ka thënë se politikat ndërkombëtare “nuk duhen udhëhequr prej ndeshjeve të futbollit”.

“Paqja që kemi arritur është ende e brishtë, ndaj dhe duhet të punojmë për ta forcuar atë”, tha ai.

Shqipëria dhe Serbia vijojnë “grindjet” mes tyre për shkak të Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe banohet në shumicë nga shqiptarë etnikë.

Rama, i cili u bë kryeministër vitin e kaluar pas një fitoreje plebishitare, thotë AP, nxit sërish Beogradin të rikonsiderojë pozicionin e tij ndaj Kosovës”.

“Sa më shpejt Serbia të njohë formalisht, atë që që unë ndiej dhe besoj me forcë se ata e kanë njohur tashmë por pa e thënë, që Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e vendit të tyre, aq më mirë për Serbinë dhe për të gjithë rajonin”, ka thënë kryeministri shqiptar.

Rama, gjithsesi, këmbënguli se është koha që vendi i tij dhe Serbia t’i japin fund armiqësive prej disa dekadash, pasi dëshira e tyre e përbashkët për anëtarësimin në BE do të ketë më shumë kuptim në fund të kësaj historie.

“Ne nuk mund të shkojmë askund të vetëm, – ka thënë Rama. – Së bashku mund të bëjmë BE-në të kuptojë se Ballkani është i rëndësishëm për BE-në sot, po aq sa është BE-ja e rëndësishme për Ballkanin”.

Ai ka shtuar se axhenda e tij për në Beograd, muajin e ardhshëm, nuk përfshin “rishikimin e kujtimeve të një ndeshjeje futbolli”. Grindjet e fushës në atë ndeshje u kthyen shumë shpejt në një betejë diplomatike, teksa Serbia akuzonte Shqipërinë se kishte provokuar, ndërsa Tirana u kundërpërgjigj me akuzat se lojtarët e tyre ishin ofenduar dhe sulmuar. Pas ndeshjes, disa biznese nën pronësinë e shqiptarëve u sulmuan e u dëmtuan në ditët në vijim.

Rama pranon se “droni” kishte shkaktuar “shpërthimin e diçkaje që kishte vluar deri atëherë dhe shumë përpara atij momenti”. Por, ai shtoi: “Shqipëria e Madhe është një makth i serbëve, jo një projekt i shqiptarëve, as në Shqipëri dhe as në Kosovë. Ajo që duhet të na bashkojë neve është shumë herë më e madhe se sa gjërat që na ndajnë. Ne duam një Europë të madhe, jo një Shqipëri më të madhe. Kjo është gjëja për të cilën po luftojmë ne”.

Rama, i cili do të takohet me homologun e tij serb, Aleksandar Vucic, në Beograd, tha se synon të adresojë shqetësimet e serbëve mbi atë ndeshje, e më pas të flasë për çështje më të rëndësishme.

Top Channel