Ndalimi i makinave tek ‘Nënë Tereza’ acaron Bashkinë

23/10/2014 00:00

Urdhri më i fundit për të shndërruar sheshin ‘Nënë Tereza’ në pedonale dhe moslejimin e parkimit të automjeteve në anë të bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ është parë si ndërhyrje në kompetencat e Bashkisë së Tiranës.

“Urdhërat për vendndodhjen e parkimeve, për kufizimin e trafikut i takojnë kryetarit të bashkisë, autoritetit vendor. Nuk është gjë e re për këtë qeveri që të marrë ligjin dhe të uzurpojë kompetencat e pushtetit vendor”, deklaroi nënkryetari Enno Bozdo.

Por në një njoftim zyrtar të qeverisë thuhet se, në nenin 7 të Kodit Rrugor parashikohet mundësia që në qendrat e banuara, komunat dhe bashkitë mund të kufizohet qarkullimi i të gjitha mjeteve për mbrojtjen e pasurisë artsitike, në përputhje me udhëzimet e shpallura nga Ministria e Kultures. Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe sheshi ‘Nënë Tereza’ i përkasin ansamblit monument-kulturë dhe zonave të trashëgimisë kulturore.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo i kërkon kryeministrit Rama të mos pengojë projektet e bashkisë që lidhen me linjën e tramit Kinostudio-Kombinat dhe terminalin multimodal. Ai është takuar me përfaqësues të kompanisë kanadeze “Bomabardier”, e cila prodhon mjete të transportiti ajror dhe hekurudhor dhe është e gatshme të marrë pjesë në garë.

“Duke parë interesin e këtyre kompanive, ndoshta emrat më të njohur në botë për infrastrukturën, i bëj thirrje kryeministrit që të mos ndalojë këto projekte për hir të luftës politike, por të vijojmë bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve të Tiranës”, deklaroi Bozdo.

Me projektin e tramit, tha ai, reduktohet numri i automjeteve në rrugë, shmangen 6 tonë dioksid karboni që çlirohen nga automjetet dhe u kthehen qyetarëve rreth 7 km parkim në kryeqyet.

Top Channel