Ukrainë, Yatseniuk: Rusia mund të prishë zgjedhjet e fundjavës

23/10/2014 00:00

Kryeministri ukrainas Arseny Yatseniuk ka paralajmëruar gjatë së enjtes për tentativa të mundshme të Rusisë për të prishur zgjedhjet në Ukrainë gjatë fundjavës, votime që mbahen në kushtet e mbështetjes së Rusisë për rebelët separatistë dhe grindjeve të pazgjidhura mbi çmimin e gazit.

Zgjedhjet e së dielës janë të parat parlamentare që prej protestave rrugore të dimrit të kaluar, të cilat rrëzuan nga pushteti liderin e mbështetur nga Moska, Victor Yanukovich, si dhe vunë në krye të vendit një lidership pro-perëndimor.

Rezultatet priten të kthejnë një bllok politik mbështetës të Presidentit Petro Poroshenko në udhëheqjen e vendit, tashmë si një forcë kryesore në Parlament, ku influenca pro-ruse duket se është minimizuar së tepërmi.

Poroshenko synon një mandat të fortë për të vijuar përpara me planin e tij për t’i dhënë fund konfliktit me separatistët në rajonet lindore të Ukrainës të dominuara nga rusishtfolësit, si dhe të krijojnë një ndjenjë mirëkuptimi me Moskën edhe pse do të ndjekin një kurs drejt integrimit europian.

Agjencia e lajmeve “Interfax” ka cituar atë të thotë se pret t’i jepet mundësia të nisë formimin e një koalicioni të ri ndoshta nga nisja e javës së ardhshme, e cila do të jetë “pro-europiane, antikorrupsioni, pa gënjeshtarë dhe populistë”.

Ndërkohë që dhuna mes forcave qeveritare dhe separatistëve janë ende të pashuara në Lindje të Ukrainës, pavarësisht një armëpushimi, kryeministri Yatseniuk urdhëroi një mobilizim të plotë sigurie përgjatë fundjavës, për të parandaluar çdo “akt terrorist” të mundshëm.

“Është e qartë se përpjekjet për të destabilizuar situatën do të vazhdojnë dhe do të provokohen nga pala ruse. Ata nuk arritën t’ia dilnin gjatë zgjedhjeve presidenciale të Majit, por planet e tyre janë ende në fuqi”, tha ai, gjatë një takimi me shefat më të lartë të sigurisë dhe monitoruesit e zgjedhjeve.

“Na nevojitet një mobilizim i plotë i të gjithë sistemit të zbatimit të ligjit, për të parandaluar dhunën gjatë procesit zgjedhor dhe çdo përpjekje për të nxitur ndonjë akt dhune gjatë tyre”, tha Yatseniuk.

Top Channel