Fasada e Kryeministrisë, mesazh sensibilizues

23/10/2014 00:00

Fasada qëndrore e selisë së Kryeministrisë është shndërruar në një “ekran të gjallë”, përmes të cilit për disa ditë me radhë do të përcillet mesazhi i sensibilizimit të grave dhe nënave shqiptare në luftën kundër kancerit të gjirit.

Duke filluar nga pasditja e sotme, një videoprojektor përcjell foto dhe informacione mbi kancerin e gjirit, me qëllim rritjen e vëmendjes dhe ndërgjegjësimin e grave mbi këtë sëmundje.

Nisma e Kryeministrisë i shtohet disa aktiviteteve të organizuara gjatë muajit Tetor, që është muaji i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, e gjatë të cilit Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka ofruar ekzaminime falas për gratë.

Kjo nismë u bë publike nga vetë kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, ku ai shkruante se “nga ora 18:00, Kryeministria bëhet ekran i gjallë i betejës kundër një kanceri që luftohet me informacion”.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel