Mbyllet ‘paqësisht’ Partizani Beogradit-Beshiktash

23/10/2014 00:00

Skuadra turke e Beshiktashit arriti një fitore të thellë në Serbi ndaj Partizanit të Beogradit me rezultatin 0-4, ndeshja ishte e vlefshme për Europa League.

Gjatë kësaj ndeshje, nuk ndodhi ajo që kishin deklaruar tifozët turq dhe ajo që kishin frikë mediat serbe se do të shpalosej flamuri shqiptar apo ai kosovar.

Mediat turke shkruajnë se para startit të kësaj sfide, rreth 800 tifozë turq janë kontrolluar në mënyrë të detajuar nga policia serbe, e cila kishte marrë masat që në stadiumin e Beogradit të mos ndodhte ajo që ndodhi gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Që në minutat e para të ndeshjes skuadra turke ishte më superiore duke krijuar disa raste të pastra për shënim. Veli Kavlak ishte ai që zhbllokoi rezultatin me një gol të mrekullueshëm në minutën e 18-të. Vendasit e Partizanit të Beogradit ishin totalisht të pafuqishëm për të rrezikuar në portën kundërshtare, ndërsa Beshiktashi vazhdoi të sulmonte dhe në minutën e fundit të pjesës së parë gjeti edhe golin e dytë me senegalezin Demba Ba.

Në 45 minutat e dyta, të besuarit e kroatit Slaven Bilic, realizuan edhe dy gola të tjerë, me Ozyakup dhe Tore, i cili vulosi rezultatin në 0-4 në minutën e 54-t.

Top Channel