Vendimi i UEFA-s, çfarë mund të fitojmë e çfarë rrezikojmë

23/10/2014 00:00

Institucioni më i lartë i futbollit europian është treguar hermetike në këtë anë duke mos rrjedhur asnjë informacion mbi vendimin në fjalë, pavarësisht se ka zëra që thonë se vendimi është marrë, por publikimi do të bëhet të premten.

Cili do të jetë vendimi i UEFA-s? Cilat janë mundësitë që Shqipëria të marrë 3-pikëshin në tavolinë? A do të ndëshkohemi? Nëse po çfarë rrezikojmë?

Këtyre dhe të tjera pyetjeve iu përgjigjën të ftuarit e takimit të kësaj të enjte në Top Story me gazetarin Sokol Balla.

I pari që mori fjalën ishte një dëshmitar i ngjarjeve të Beogradit, komentatori i SuperSport, Dritan Shakohoxha.

“Në Zvicër nuk është shtyrë marrja e vendimeve, por është shtyrë shpallja e vendimeve, sepse UEFA po provon të luajë formulën e saj dhe po ndjek ndeshjen e sotme mes Partizanit dhe Beshiktashit, që është mirë për ne. Fakti që në stadium sot ka pak njerëz ishte i pritshëm, sepse futbolli i nxit qytetarët, të cilët nuk janë vetëm nga Beogradi dhe janë njerëz të përgatitur për luftë. E njëjta gjë ndodhi edhe të shtunën në ndeshjen Partizani-Crvena Zvezda”, deklaroi ai.

Shakohoxha shtoi më tej se t’i kërkojë kombëtares shqiptare të rikthehej në fushën e lojës në ato kushte ishte absurde. Sipas tij vetëm gjyqtari kryesor i takimit ka shkruajtur në raportin e tij se kombëtarja jonë ka refuzuar të rikthehej në fushë, ndërsa delegatët dhe komisarët e sigurisë jo.

Ai tha se kushtet e sigurisë ishin zero dhe se e vetmja garanci ishte Ivan Bogdanoviç, tifozi famëkeq serb i vendosur në qendër të vëmendjes për trazirat e ndodhura në Xhanova ku dogji flamurin shqiptar.

“Skuadra shqiptare nëse kthehej në fushë nuk do të merrte më siguri as nga policia, as nga federata serbe dhe as nga UEFA. Stadiumi kishte dalë jashtë kontrollit dhe as policia nuk e kontrollonte dot. As qyteti nuk ishte nën kontroll. E vetmja mënyrë për t’u rikthyer në fushë ishte të merrje garanci nga Bogdanoviç. Imagjino nivelin e sigurisë në atë stadium, t’i kërkoje siguri një gangsteri”, tha ai.

Edmon Haxhiu manaxher i licensuar i UEFA-s deklaroi se nëse delegati i takimit ka konstatuar se ndeshja nuk mund të luhej më, atëherë Shqipëria do të marrë 3 pikëshin në tavolinë. Në të kundërt, tha ai, rrëzikojmë të penalizohemi për refuzim të rikthimit në fushën e lojës.

Drejtori i SuperSport, Denis Dyrnjaja u shpreh se gjyqtarit të takimit i iku ndeshja nga kontrolli.

“Ajo që ndodhi në atë ndeshje e ka zanafillën tek arbitri. Gjithë situata që degjeneroi në atë dhunë nuk do kishte ndodhur nëse arbitri do të kishte qenë vendimmarrës. Ai është njeriu i parë që duhet të futet në gjykim nga UEFA. Për palën tonë është e rëndësishme të marrim vesh, a do të penalizohemi? Cili do të jetë penalizimi? Do ishte mirë të kishim një lobim të mirë diplomatik shtetëror. Serbia do ndëshkohet për atë që ka bërë, por edhe ne nuk do të shpëtojmë nga penaliteti”, tha ai.

Në një lidhje telefonike me Top Story, trajneri i kombëtares, Gianni De Biasi u shpreh optimist në marrjen e tre pikëve.

“Shpresojmë sepse cdo gjë që është parë të gjyohet në mënyrë të drejtë. Mund të them shumë shkurt që shpresoj të mos i kushtohet rëndësi politikës sepse në të vërtetë jemi një realitet i vogël dhe me të vegjlit ndoshta është më e thjeshtë të bësh prepotencën, por faktet janë të qarta dhe shpresoj që ajo çka kemi kaluar në lojën me Serbinë të jetë vënë re nga UEFA në mënyrën e duhur. Të presim vendimin dhe shpresojmë tek drejtësia”, deklaroi De Biasi.

Politikani Murat Basha vlerësoi se ajo që ndodhi në stadiumin e Beogradit nuk ishte vetëm një ndeshje futbolli.

“Në këtë rast, në këtë përballje, janë shqiptarët kundër serbëve dhe jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por edhe Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi. Vetëm ajo parrullë që thotë “jo racizmit” do të mjatonte për të ndëshkuar Serbinë, që bëri barbarizma kundrejt shqiptarëve. Ajo nuk ishte më një ndeshje futbolli. Në rast se vendimi do të jetë pro-Serbisë, shqiptarët do të zhgënjehen shumë nga rruga europiane që kanë marrë, pasi Europa po merr një vendim tërësisht racist”, tha ai.

Ajo që ndodhi në fushën e lojës u paralajmërua që me incidentet e ndodhura pak orë para fërshëllimës së gjyqtarit anglez, kur në aeroportin e Beogradit dhjetra shtetas shqiptarë, pjesë e delegacionit të kuqezinjëve u bllokuan për rreth 3 orë pa asnjë shkak.

Për herë të parë në Top Story, Sokol Balla zbardhi se është dashur ndërhyrja deri e Stefan Fyle-s për të bindur autoritetet serbe që të lironin shqiptarët e bllokuar në aeroport.

Dritan Shakohoxha u rikthye tek incidenti i ndeshjes. Ai vlerësoi sjelljen e lojtarëve serbë të cilët u kërkuan ndjesë lojtarëve tanë, madje për të rikthyer kuqezinjtë në fushë kishin propozuar edhe boshatisjen e stadiumit.

Shakohoxha tha se delegati i UEFA-s ka shkruajtur në raport që nuk ishin më kushtet minimale për zhvillimin e ndeshjes, po ashtu edhe komisarët e sigurisë. “Nëse kjo është e vërtetë atëherë ne kemi 7 pikë tashmë”, deklaroi Edmond Haxhiu.

Drejtori i SuperSport u ndal tek analiza e dronit. “Po ta analizosh me gjakftohtësi më shumë ka dëmtuar Shqipërinë se sa e ka ndihmuar atë. Droni është pika më e fortë ku kapen sot serbët, përfshiu shtetin shqiptar, rrezikoi lojtarët në fushë dhe na hoqi nga duart një rezultat pozitiv në atë ndeshje, pavarësisht qëllimit të mirë që kishte lëshimi i tij”, tha ai.

Dervishi: 3-pikëshi, i vështirë

Në pjesën e tretë për të patur një mendim më afër të vërtetës në linjë telefonike nga Spanja ishte Eduard Dervishi, shqiptari që aktualisht mban post në strukturat e larta drejtuese të Federatës Spanjolle të Futbollit, njëkohësisht edhe delegat i UEFA-s në shumë ndeshje.

Sokol Balla: Pse u shty vendimi? Çfarë shkruhet në protokoll? Ku kemi gabuar që mund të na penalizojë?

Eduard Dervishi – Është një situatë komplekse dhe e vështirë që nuk ka ndodhur për shumë vite. Vendimi është marrë të enjten, por do të komunikohet të premten për arsye se sot në Europë luhen shumë ndeshje të Europa Ligë dhe në një nga këto ndeshje ky vendim mund të ketë një ndikim. Një vendim i pakëndshëm për palën serbe mund të sjellë trazira në Beograd ku luan Partizani me Beshiktashin.

Sokol Balla: Ju po thoni që do ketë një rezultat pozitiv për Shqipërinë? 3 pikë?

Eduard Dervishi –Për mendimin tim s’është e lehtë marrja e tre pikëve. Më shqetëson fakti që delegati, arbitri dhe shefi i sigurisë së UEFA-s i kërkon skuadrës shqiptare të dalë në fushë, kjo më shqetëson dhe nuk e shoh të lehtë marrjen e pikëve nga ana jonë. Arbitrat nuk kanë urdhëruar që skuadra jonë të dalë në fushë, i kanë pyetur. Ajo ndeshje normalisht nuk duhej të zhvillohej, por fakti që në UEFA ka mbërritur një informacion i tillë më shqetëson.

Denis Dyrnjaja pyeti: Nëse do të jemi palë e fituar çfarë fitojmë? A ndikohet vendimi i disiplinës nga lobingjet e shteteve?

Eduard Dervishi: Mendoj që nuk do jemi 100 përqind të kënaqur me atë vendim. Kam parasysh fitimin e 3 pikëshit. Mendoj që 3 pikëshi na takon, por nga ana tjetër di që UEFA nuk është fleksibël kur del kundër vendimeve të saj, madje edhe kur ke të drejtë. Sa për lobingjet Disiplina është organ i pavarur, por me një ndikim politik të futbollit edhe mund të ketë është e pashmangshme. Mund t’u garantoj se dokumentet që FSHF ka përgatitur janë të një niveli shumë të lartë dhe videoja me imazhet është një provë e fortë dhe e përgatitur mirë dhe me këto nëse e çojmë në komisionin më të lartë besoj e marrim drejtësinë.

Top Channel