Aksident, 2 të vdekur në aksin Korçë-Pogradec

24/10/2014 00:00

Dy persona humbën jetën dhe dhe trë të tjerë u plagosën mesnatën e kaluar në një aksident rrugor në aksin Korçë-Pogradec.

Aksidenti tragjik ndodhi në vendin e quajtur Drithas, kur një automjet në të cilin udhëtonin 5 persona doli nga rruga në një urë.

Viktimat e këtij aksidenti të rëndë janë identifikuar si Taulant Qeleshi dhe Erjon Ago, ndërsa të plagosur kanë mbetur Nikolin Misha, Kristi Sheshimi, përkatësisht 24 dhe 21 vjeç, si dhe shtetasi Vasil Shara, të cilët janë dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës për ndihmën e parë mjekësore.

Automjeti udhëtonte nga fshati Pojan drejt Drithasit, më pak se dy kilometra nga rruga nacionale. Mjeti mësohet se ka qenë në pronësi të shtetasit Qeleshi, i cili është dhe njëri nga viktimat.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë së Korçës, ndërkohë që është dashur ndërhyrja e forcave të zjarrfikëses për të bërë të mundur nxjerrjen e trupave nga automjeti.

Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit është bërë humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit. Megjithatë, policia ka kryer një seri hetimesh në vendin e ngjarjes për zbardhjen e plotë të shkaqeve.

Top Channel