SHBA do të transferojë rusin e ndaluar në Afganistan

24/10/2014 00:00

Një shtetas rus i kapur nga ushtria amerikane në Afganistan në vitin 2009 do të transferohet në Shtetet e Bashkuara, ku do të përballet me akuzat për terrorizëm. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarët amerikanë gjatë ditës së enjte.

Ky është rasti i parë kur një luftëtar i huaj i kapur në Afganistan do të transferohet në SHBA për t’u gjykuar.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Bernadette Meehan tha se ky vendim është bazuar në një marrëveshje dypalëshe të sigurisë ndërmjet SHBA-ve dhe Afganistanit, e cila hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2015.

“Anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare kanë rënë dakord njëzëri që ndjekja penale në Gjykatën Federale ishte opsioni më i mirë për këtë të burgosur”,  tha Meehan.

Personi në fjalë, i identifikuar si Irek Hamidullan, dyshohet se është një prej 13 shtetasve të huaj, të cilët ndërmorën një sulm ndaj ushtarëve amerikanë në Parwan, ku pati edhe viktima.

Top Channel