SHBA, tjetër rast me Ebola

24/10/2014 00:00

Një mjek në Nju Jork, i cili sapo ishte kthyer nga Guinea, është diagnostikuar me virusin vdekjeprurës të Ebolës. Mediat amerikane kanë raportuar lajmin, duke cituar zyrtarë të Nju Jorkut.

Doktor Craig Spencer u dërgua me urgjencë ditën e enjte në spitalin ‘Bellevue’ në Nju Jork, pasi ka shfaqur simptoma të virusit. Ai është vendosur menjëherë në izolim.  Ky është rasti i parë i një personi të infektuar me Ebola në Nju Jork.

Menjëherë zyrtarë të Departamentit të Shëndetësisë u shpërndanë në qytet për të identifikuar personat të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarin.

Craig Spencer është personi i katërt me këtë sëmundje në SHBA. Më 8 tetor në Dallas ndërroi jetë Thomas Eric Duncan, i cili ishte personi i parë i infektuar me këtë virus në SHBA. Dy infermiere që trajtuan Duncan u infektuan dhe tashmë janë duke u kuruar në spital.

Deri tani kanë humbur jetën 4877 persona nga virusi i Ebolës, vetëm javën e fundit kanë vdekur mbi 320 persona. Këto shifra janë bërë publike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Shumica e viktimave kanë vdekur në tre shtete të Afrikës së Perëndimore, Liberi, Guine dhe Sierra Leone.

Top Channel