Nju Jork, dy policë sulmohen me sëpatë

24/10/2014 00:00

Dy policë kanë mbetur të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë, pasi një person i armatosur me sëpatë i sulmoi të enjten mbrëma teksa patrullonin rrugët e lagjes Kuins në Nju Jork.

Agresori më pas është vrarë nga dy agjentë të tjerë. Mësohet se ai, ende jo i identifikuar, u vërsul ndaj agjentëve me armën e ftohtë, duke goditur një prej tyre në kokë dhe tjetrin tek krahu, para se të qëllohej.

Rezulton që nga sulmi të ketë mbetur e plagosur edhe një grua, ndërkohë që autoritetet po hetojnë edhe pistën e një agresioni me sfond islamik.

Pas ngjarjes të gjitha forcat e policisë janë urdhëruar të mbajnë një nivel të lartë gatishmërie, sidomos pas sulmit në Parlamentin e Otauas, ku një i ri qëlloi dhe vrau një person para se të vritej nga agjentët e sigurisë.

“Ju lutemi, lajmëroni stafin tuaj që të jetë vigjilent në çdo moment”, thuhet në mesazhin që i është dërguar Departamentit të Policisë së Nju Jorkut.

Agresori quhej Zale Thompson, 32 vjeç, dhe kishte një profil në Facebook me foton e një luftëtari islamik. Gjithashtu, profili i tij në rrjetin social përmbante edhe një lutje në arabisht.

Në bazë të raportimeve të mediave amerikane, agresori kishte edhe një dosje penale në Kaliforni dhe ishte përzënë nga Marina për sjellje të keqe.

Top Channel