UEFA dënon Shqipërinë dhe Serbinë

24/10/2014 00:00

UEFA zbardh vendimin e marrë nga Komisioni i Disiplinës për çështjen e dhunës në Beograd në ndeshjen Serbi-Shqipëri, e ndërprerë për shkak të dhunës nga tifozeria serbe.

E megjithatë asgjë nga ajo që u pa në stadium nuk u mor për bazë, duke e shndërruar në një skandal të turpshëm vendimin e Komisionit të Disiplinës së UEFA-s.

“Komisioni Disiplinor i UEFA-s ka marrë vendim që Shqipëria humb ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe gjobitet me 100 mijë euro gjobë. Ndërsa Serbisë i hiqen 3 pikë nga klasifikimi, gjobitet 100 mijë euro dhe dy ndeshje pa spektatorë. Ky është vendimi që ka marrë Komisioni Disiplinor i UEFA”, njoftoi Ilir Shulku, Sekretar i Përgjithshëm i FSHF-së.

Ndërkohë Artan Hajdari, përfaqësuesi i studios ligjore të palës shqiptare jep disa detaje të mëtejshme rreth këtij vendimi, në pritje të zbardhjes së plotë të argumentave që sollën vendimin dhe më pas për hapat e mëtejshëm.

“Në fokusin tim mendoj që 3-pikëshin në tavolinë do jetë dhënë për argumentin e parë dhe argumenti do të jetë për akuzën e parë dhe 100 mijë euro besoj duhet të jetë për “illegal banner”. Megjithatë duhet të ruajmë rezervën për të parë se çfarë arsyetimi do të bëjë paneli i gjyqtarëve. Vendimi i shkallës së parë gjithmonë ka një ndikim. Ju e dini që gjykata të tilla nuk janë jashtë trupit të UEFA-s, do të thotë që ndikimet mund të kenë qenë, presionet mund të kenë qenë. Ne kemi të drejtë që të kërkojmë brenda 5 ditëve argumentat e vendimet, nëse nuk i kërkojmë, vendimi merr formë të prerë. Nga momenti që na njoftohet kemi 3 ditë afat të njoftojmë UEFA-n që do bëjmë ankim. Pra do të fillojmë procedurat që sot. Apeli është më debatues, ka më shumë “case laë”, megjithatë edhe pas Apelit është CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv)”, deklaroi avokati Artan Hajdari.

Komisioni i Disiplinës së UEFA-s kishte në dorë dosjet e palës shqiptare dhe asaj serbe që prej datës 21 tetor, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe anëtarët grumbulluan informacionet e tyre dhe gjithashtu relacionet e zyrtarëve të ndeshjes.

Pala serbe akuzohej në këtë çështje për disa pika, duke filluar nga dështimi i masave organizative, te hyrja e tifozëve në fushë, goditja e lojtarëve të skuadrës së Shqipërisë dhe koret raciste.

Ndërsa pala shqiptare akuzohej për refuzim të futjes në lojë pas ndërprerjes së ndeshjes dhe hyrjen e dronit me banderolën me simbolet shqiptare.

Pala jonë, e përfaqësuar nga një studio zvicerane, u paraqit në Komisionin Disiplinor të UEFA-s me kërkesën e 3 pikëve në tavolinë dhe duke akuzuar palën serbe për racizëm. 

Top Channel