Reshje dëbore janë verifikuar këtë mëngjes në Korçë, ku në disa zona të këtij qarku trashësia ka arritur deri në 10 centimetër.

Sipas informacioneve të fundit, dendësi reshjesh dëbore ka pasur kryesisht në zonën e Dardhës, pranë pikave turistike të fshatit.

Megjithatë, autoritetet lokale njoftojnë se dëbora dhe ngricat nuk kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve.

Një ditë më parë reshjet e dëborës përfshinë të gjithë qarkun e Kukësit, pasi temperaturat pësuan një rënie të theksuar, duke sjellë reshje edhe në lartësitë 2 mijë metër mbi nivelin e detit.

Të enjten në mëngjes në zonat e Kalisit, Grykë-Cajës, Shishtavecit, Lekbibajve, Margegajve etj dëbora arriti në 5 centimetër, ndërkohë që vazhdoi të binte edhe në orët e mëtejshme.

Banorët deklaruan se reshjet nuk kishin intensitet të lartë, por temperaturat kishin rënë ndjeshëm.

Shtabi i Emergjencave Civile njoftoi se nuk ishin shënuar probleme në qarkullimin e automjeteve në akset rrugore, por mjegulla pati një shtrirje të madhe.

Top Channel