Liderët e BE, pakt për reduktimin e CO2-shit

24/10/2014 00:00

Liderët e vendeve të BE-së kanë arritur një marrëveshje për të reduktuar emetimin e gazit serrë me 40 për qind brenda vitit 2030, krahasuar me nivelet e viteve ’90.

Vendimi erdhi pas diskutimesh të nxehta në samitin e zhvilluar në Bruksel, pasi përfaqësuesit e shumë vendeve anëtare argumentuan se duhen mbrojtur interesa të ndryshme.

Korrepsondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se marrëveshja përfundimtare është një kompromis mes vendeve që mbështeten në përdorimin e qymyrit dhe atyre që synojnë të reduktojnë emetimet.

Grupet ambjentaliste mirëpritën marrëveshjen, por thanë se ajo nuk arriti pritshmëritë e tyre. Blloku ra gjithashtu dakord për të nxitur përdorimin e energjisë së rinovueshme deri në 27 për qind të energjisë totale dhe rritjen e efiçencës energjitike në të njëjtën kuotë.

Gjithësesi, mes vendeve anëtare ka pasur ndasi të thella sa i takon shkurtimit të emetimeve të gazrave të dëmshëm. Polonia, që bazohet gjerësisht tek qymyrguri, druhet se kostot e dekarbonizimit do të ngadalësojnë rritjen e biznesit.

Ky shqetësim është mbështetur edhe nga vende të tjera të Evropës lindore. Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy deklaroi pas samitit se vendet më të varfëra të Unionit do të marrin ndihma, përfshirë këtu fonde shtesë, për të arritur objektivat e marrëveshjes.

Liderët e 28 vendeve ishin treguar të kujdesshëm sa i takonte perspektivës së arritjes së akordit, para se të mbanin bisedime përgjatë gjithë natës.

Por në orët e para të së premtes, zoti Van Rompuy shkroi në Twitter: “Marrëveshja u arrit. Të paktën 40 për qind e emetimeve do të shkurtohen brenda vitit 2030”.

Top Channel