Veshjet i kushtojnë shtrenjtë ambientit

24/10/2014 00:00

Përveç atij në etiketë, rrobat kanë edhe një çmim tjetër: atë mjedisor. Këtë llogari të detajuar e ka bërë Agjencia daneze për Mbrojtjen e Ambientit, sipas të cilës një t-shirt e thjeshtë pambuku kushton rreth 3 euro e përkthyer në ujë, fertilizues dhe energji për t’u prodhuar.

Ja përse, thotë qeveria daneze, duhet shmangur taktika ‘përdor dhe hidh’ e rrobave, duke e vënë theksin tek riciklimi i veshjeve cilësore, që janë dhe më jetëgjata.

Sipas studimit, i prezantuar në kuadër të forumit Rritja Globale e Gjelbër, danezët konsumojnë mesatarisht 16 kg veshje në vit, barabar me një kosto mjedisore prej 400 milionë euro.

“Gjithçka, që nga sasia e madhe e pesticidëve dhe ujërave që përdoren në fushat e pambukut e deri tek çlirimi i gazit CO2 për prodhimin e kamoshit, ka një impakt negativ ndaj ambjentit”, ka thënë ministri danez i Mjedisit, Kirsten Brosbol.

Plot 83 për qind e veshjeve të blera në Danimarkë prodhohen jashtë kufijve kombëtarë. Pra, impakti më i madh bie mbi vende të tjera, kryesisht tek Kina, India dhe Turqia.

Megjithatë, shton Brosbol, edhe pse thuajse të gjitha veshjet tona prodhohen jashtë, “ne kemi përgjegjësinë tonë”.

Top Channel