Prishtina në kor: Vendimi politik!

24/10/2014 00:00

Përfaqësuesit e futbollit në Kosovë kanë vlerësuar se vendimi i UEFA-s për t’i dhënë tri pikë Serbisë dhe për ta ndëshkuar Shqipërinë është vendim kryekëput politik.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës, por edhe përfaqësues të tjerë të futbollit janë shprehur ashpër ndaj vendimit të UEFA-s, por shpresojnë që shkalla e dytë do ta përmirësojë vendimin e parë.

“Ky është një vendim kryekëput politik dhe i balancuar, sepse rregullat e UEFA-s dhe aktet normative, ku thuhet që çdo sulm ndaj lojtarëve dhe ndaj zyrtarëve duhet të sanksionohet me dhënien e fitores 0-3 për ekipin kundërshtar, nuk janë zbatuar. Ne e kemi parë çfarë ka ndodhur në Beograd, jam shumë i befasuar dhe mendoj se UEFA me një vendim të tillë e ka vënë në dyshim edhe kredibilitetin e vet”, tha Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit në Kosovë.

“Vendimi i UEFA-s është kryekëput politik. Jam i sigurt se është marrë për bazë raporti i gjyqtarit për mosdaljen në terren, por aty ka pasur paqartësi dhe atë e kanë shfrytëzuar me sa duket. Megjithatë, kam shpresa se Gjykata e Apelit do të sjellë një vendim të drejtë dhe me siguri në dobi të fakteve, sepse faktet janë në anën tonë”, tha Bylbyl Sokoli, trajner i KF Prishtina.

“Kemi pritur një vendim ndryshe, nga ky që është marrë nga UEFA. Kjo, për arsye se normalisht kemi qenë dëshmitarë të asaj nate të gjithë, e kemi përcjellur dhunën që është ushtruar ndaj futbollistëve të kombëtares sonë. Kemi parë në çfarë situate kanë qenë futbollistët, në çfarë rreziku kanë kaluar”, tha Kushtrim Mushica, portier i përfaqësueses së Kosovës.

Sportistët kosovarë kanë kritikuar edhe institucionet politike në Bruksel, që – sipas tyre – ndikuan në vendimin e UEFA-s, duke dalë hapur në favor të Serbisë menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.

Ata u kanë bërë thirrje të dy qeverive në Tiranë dhe Prishtinë, që të jenë më aktive në politikën e Jashtme për t’i mbrojtur interesat e sportistëve shqiptarë. Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se reagimi histerik i qeveritarëve serbë pas lojës, me akuza për terrorizëm e deri te konspiracionet për vëllanë e kryeministrit Edi Rama, patën sukses.

Pas vendimit të UEFA-s, sipas Ahmetit, lojtari i kombëtares Balaj duhet të kërkojë falje, që e prishi karrigen me kokë; Lorik Cana, që e goditi këmbën e tifozit me stomak; e Taulant Xhaka, që e goditi grushtin e tifozit me fytyrë. Ndërkohë, për vendimin e fundit të UEFA-s nuk ka pasur asnjë reagim nga Qeveria e Kosovës.

Top Channel