“UEFA shpërblen Serbinë”

24/10/2014 00:00

Padurimin e pritjes së vendimit të UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri e shtoi edhe më shumë shtyrja e tij me një ditë, për t’u dhënë mëngjesin e sotëm në formën më zhgënjyese për shqiptarët.

Trepikëshi i hequr Shqipërisë nga Komisioni i Disiplinës pranë organit më të lartë të futbollit europian, me argumentin e moskthimit në fushë, si dhe dënimi i dhënë palës tjetër është komentuar në mjaft media të huaja.

Shtypi britanik ishte ndër të parët që e përcolli këtë lajm. “Shpërblehet Serbia me tre pikë”, shkruan “Dailymail”. Ndonëse me poshtë përcjell padyshim dhe njoftimin e heqjes së tyre, jo pa qëllim e përditshmja britanike përdor pikërisht këtë fjale: “shpërblim”, si për të theksuar se, të paktën moralisht, vendimi ka anuar nga pala tjetër.

Fjalën “shpërblim” për Serbinë e përdor edhe “the Guardian”, e cila shton mes radhësh se “Uefa as që i është afruar identifikimit të personit që lëshoi “dronin”-shkëndijë të përleshjes”. Të njëjtin përkufizim gjejmë edhe te BBC, e cila nxitoi të korrigjonte edhe lapsusin e një lajmi të mëhershëm, ku thoshte se flamuri i lëshuar me “dron” kishte një shqiponjë të zezë, simbol sipas saj i Shqipërisë së Madhe.

Me më pak ngjyra në raportim, mediat amerikane shprehën thjesht se u penalizuan të dyja palët. Të njëtjën linjë ndjek dhe “Irish Times”, e cila shton se UEFA me këtë vendim i ka hequr një vijë sipër incidentit, pavarësisht faktit që Tetorin e ardhshëm të gjithë sytë do të drejtohen te ndeshja e kthimit, kur dy kombëtarët do të përballen sërish, këtë radhë në Shqipëri.

Mbresëlënës është dhe titulli i “Toskana Neës”: UEFA legjitimon racizmin, – thotë portali italian, që e cilëson si të pabesueshëm vendimin për t’i dhënë Serbisë fitoren 3 me 0.

Kjo sepse kombëtarja shqiptare refuzoi vazhdimin e ndjeshjes, në një kohë kur ishte përballur me dhunën e tifozëve dhe të policëve serbë. As Serbia nga ana tjetër nuk do t’i gëzojë ato tre pikë, – vazhdon artikulli, – sepse përveç gjobës prej 100 mijë eurosh, do të luajë dhe dy ndeshje pa spektatorë.

Një vendim i tillë – thuhet më tej – do t’i lejonte mbi të gjitha Portugalisë rikthimin në lojë për kualifikimin në “Euro 2016”, përpos faktit që krijon një precedent të rrezikshëm dhe legjitimon e justifikon përdorimin e dhunës dhe racizmit nëpër stadiume.

Top Channel