Pogba rinovon deri në 2019-n me Juventusin

24/10/2014 00:00

Paul Pogba ka nënshkruar rinovimin e kontratës me Juventusin, duke mbetur kështu një lojtar bardhezi deri në Qershorin e 2019-s.

Lajmi është publikuar nga vetë klubi italian, ndërkohë që kontrata e deritanishme me lojtarin e përfaqësueses franceze pritej të skadonte në vitin 2016.

Juventus ka shfaqur vendosmëri në mbajtjen e mesfushorit 21-vjeçar, edhe pse ai u bë një nga objektivat kryesorë të shumë prej klubeve më të mëdha të Europës.

“Kemi nënshkruar rinovimin me Paul Pogba deri në vitin 2019”, ka thënë administratori i klubit juventin, Giuseppe Marotta, gjatë një takimi të aksionerëve të Juves në Torino, këtë të premte.

Pogba, i cili u shpall lojtari i ri më i mirë i Botërorit në Brazil, gjatë verës që sapo lamë pas, u transferua në Torino 2 vjet më parë, me kosto zero, nga Manchester United.

Ai ka krijuar një partneritet të qëndrueshëm me veteranin italian Andrea Pirlo në mesfushën e Juventusit, gjë që ka kontribuar bindshëm në 3 titujt kampionë radhazi këto vite në Serie A.

Bazuar mbi marrëveshjen e re, Pogba duket se ka trefishuar pagën e tij aktuale prej 23 mijë paundësh në javë. Kjo edhe për shkak se ofertat e klubeve të tjera ndaj Juventusit kanë qenë tepër joshëse, por siç thotë Marotta ato janë refuzuar.

Top Channel