Duka për CNN: Nuk refuzuam të hyjmë në fushë

24/10/2014 00:00

Vendimi absurd i UEFA-s për t’i dhënë fitoren në tavolinë Serbisë dhe për të dënuar edhe Shqipërinë për incidentet e ndodhura në ndeshjen në Beograd ka zënë hapësirë në mediat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe gjigantin amerikan CNN.

Rrjeti amerikan i informacionit, pasi flet për vendimin e UEFA-s dhe bën një rezyme të ngjarjeve të ndodhura në takimin Serbi-Shqipëri publikon një intervistë të presidentit të Federatësh Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Në intervistë Duka e cilëson vendimin si absurd dhe se Shqipëria do ta apelojë atë, ndërsa lidhur me akuzën e ngritur kundër kombëtares tonë për refuzim të rikthimit në fushë shton:

“Skuadra shqiptare nuk refuzoi asnjëherë rikthimin në fushën e lojës, qoftë me tifozë, qoftë pa tifozë. Futbollistët tanë kur u pyetën deklaruan se nuk ishin në gjendje fizike dhe mendore për të vazhduar një ndeshje futbollit. Në raportin zyrtar nuk ka asnjë referencë se boshatisja e stadiumit do të garantonte sigurinë”, thotë Duka.

Më tej kreu i FSHF-së thotë se nëse boshatisja e stadiumit do të ishte marrë në konsideratë nga zyrtarët e UEFA-s në atë takim, atëherë ata do të duhej të kishin boshatisur stadiumin dhe të ftonin skuadrën shqiptare të rikthehej në fushë.

Pyetjes nëse Shqipëria ishte penduar për vendimin e marrë për të refuzuar rikthimin në fushë, Duka iu përgjigj: “Një gjë e tillë nuk ndodhi dhe ne nuk mund të pendohemi për një vendim që nuk e kemi marrë. Ishte pamundësi fizike dhe mendore për të zhvilluar një ndeshje futbolli, jo refuzim”.

Top Channel