Ancelotti: Dua “të dal në pension” në Madrid

24/10/2014 00:00

Trajneri italian i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka zbuluar se do të donte të përfundonte karrierën e tij në “Santiago Bernabeu”.

Italiani mori drejtimin e Realit verën e kaluar dhe udhëhoqi me sukses ekipin drejt “La Decima”-s, apo trofeut të 10 në Champions League, kompeticionin më prestigjioz për klube në futboll.

Ancelotti është relativisht i ri për të qenë një teknik që e ka fituar 3 herë këtë trofe, në një karrierë 19-vjeçare të pasur me sukses, teksa ka lënë pas 55-vjetorin e tij këtë verë, por që tani ka planifikuar tërheqjen nga profesioni i tij, por jo duke u larguar nga kryeqyteti spanjoll.

I pyetur nga një medie radiofonike spanjolle, “Cadena SER”, nëse do të donte të rivalizonte Sir Alex Fergusonin, i cili kaloi thuajse çerekshekulli me Manchester United, Ancelotti u shpreh:

“Është e paimagjinueshme që unë të qëndroj për 24 vite në këtë klub, por do të doja ta mbyllja karrierën time këtu në Madrid”.

Ish-trajneri i Milanit, Chelseat dhe PSG-së, zbuloi gjithashtu se nuk do ta çonte kurrë ndërmend të drejtonte rivalët më të ashpër të Realit në La Ligan spanjolle, Barcelonën, kjo edhe për shkak besnikërie.

“Nëse jam në krye të Madridit, atëherë nuk do të drejtoja kurrë Barcelonën. Më duhet të respektoj historinë time dhe historinë e klubeve që kam drejtuar”, është shprehur ai.

Presidenti i Realit, Florentino Perez, ka qenë shpesh një figurë kontroverse gjatë dy periudhave të drejtimit të “Los Blancos”-ve, por ka qenë arkitekt i projektit të “galaktikëve”, gjë që solli në Madrid lojtarë të kalibrit botëror si Zinedine Zidane, Ronaldo, Luis Figo, David Beckham etj.

Edhe në mandatin e tij të dytë ai ka shpenzuar shuma të konsiderueshme, duke nënshkruar me lojtarë si Gareth Bale, James Rodriguez, por Ancelotti këmbëngul se ai nuk ka pasur asjnë ndërhyrje në çështjet e ekipit të parë, duke u shprehur se do të ishte i gatshëm të nënshkruante një marrëveshje të përhershme bashkëpunimi me të.

“Do të nënshkruaja një kontratë të përhershme me Florentinon. Kam marrëdhënie shumë të mira, më ka shfaqur gjithnjë përkrahjen dhe nuk më ka krijuar asnjëherë probleme. E rëndësishme është që të flasim, pasi edhe unë preferoj të flas për atë që bëj. Por, ai nuk më ka kërkuar kurrë llogari për formacionin, apo lojtarët që aktivizoj”.

Top Channel