Enrique premton: Suarez do të luajë ndaj Realit

24/10/2014 00:00

Trajneri i Barcelonës Luis Enrique ka konfirmuar se Luis Suarez do të debutojë zyrtarisht me katalanasit gjatë “El Clasico”-s që do të luhet këtë të shtunë në “Bernabeu”.

Përplasja mes rivalëve të Barças dhe Real Madridit është parë gjithnjë si eventi më madhor i kalendarit futbollistik në Spanjë, por rikthimi i Suarezit në fushë, pas kafshimit ndaj Chiellinit gjatë Botërorit, i jep një tjetër shkëndijë sfidës së shumëpritur.

Trajneri do të duhet të vendosë tashmë nëse do ta hedhë blerjen më të bujshme të sezonit, nga Liverpool, së bashku me Neymar dhe Lionel Messin, apo do ta lërë atë në pankinë dhe ta fusë si zëvendësues.

E vështirë dhe thuajse e sigurt është që të ndahet dyshja braziliano-argjentinase, e cila ka shënuar 13 gola në 5 ndeshjet e fundit, por trajneri thotë se po aq e sigurt është që Suarez do të luajë të shtunën, mbetet të shihet se për sa minuta.

“Sot mund t’iu them se jap garanci që ai do të luajë disa minuta, – tha ai përpara reporterëve gjatë konferencës së zakonshme përpara ndeshjes. – Se sa minuta mbetet për t’u parë, por ky është një rast i rëndësishëm për të dhe s’mund ta lë pa e shfrytëzuar”.

Ndërsa trajneri rival, Ancelotti, këmbënguli se prezenca e Suarezit nuk do të ndryshojë asgjë në përgatitjen e ekipit të tij, por tha se uruguajani është i mirëpritur në La Liga.

“Nuk jam këtu për të gjykuar sjelljen e Suarezit. E respektoj shumë si lojtar, është fantastik, ka shënuar shumë gola, por kjo nuk do ta ndryshojë taktikën tonë për ndeshjen e fundjavës, qoftë me Suarezit, apo pa të në fushë. Mendoj se për futbollin, luajtja e Suarezit në Spanjë është një lajm i mirë”.

Top Channel