Putin akuzon SHBA-të: Po dëmtojnë rendin botëror

24/10/2014 00:00

Presidenti Vladimir Putin ka akuzuar Shtetet e Bashkuara këtë të premte, se po e kthejnë botën në një vend më të rrezikshëm duke imponuar një “diktat të njëanshëm” në diplomacinë ndërkombëtare, si dhe hodhi poshtë pretendimin se Rusia dëshiron të ndërtojë një perandori të re.

Në një fjalim të mbajtur me një gjuhë reminishente të Luftës së Ftohtë, Putin ia hodhi fajin Perëndimit për krizën në Ukrainë dhe e portretizoi Rusinë si një superfuqi që nuk do të detyrohet t’i lutet Perëndimit për të hequr sanksionet e vendosura për shkak të këtij konflikti.

“Deklaratat se Rusia po përpiqet të rikthejë një lloj perandorie, se po shkel sovranitetin e vendeve fqinje të saj, janë të pabazuara”, tha Putin përpara një grupi nxënësish të shkencave politike, i njohur si “Klubi Valdai”, në një resort në Sochi, qytet me dalje në Detin e Zi, që priti edhe Lojrat Olimpike Dimërore këtë vit.

Duke paralajmëruar se Uashingtoni po përpiqet “ta vendosë të gjithë botën” nën interesat e saj dhe se rreziku i konflikteve ndërkombëtare po rritet së tepërmi, ai tha: Nuk e nisëm ne këtë…

Duke i quajtur sanksionet e SHBA-ve dhe Bashkimit Europian si një gabim, ai shtoi se “Rusia nuk do të kthehet në një kukull, të ofendohet apo t’i kërkojë dikujt diçka. Rusia është e zonja e vetes”.

Putin deklaroi më pas se kërcënimi për shkeljen e traktateve të kontrollit të armëve po rritet dhe bëri thirrje për bisedime, mbi kushtet e pranuara ndërkombëtarisht për përdorimin e forcës.

Fjalimi përfshinte disa prej retorikave më të ashpra të Putinit ndaj Perëndimit, që kur ai erdhi për herë të parë në pushtet në vitin 2000, si dhe nënvizon se sa të distancuara janë Moska dhe Perëndimi mbi një sërë çështjesh të rëndësishme.

Perëndimi e akuzon Rusinë për shkelje të sovranitetit të Ukrainës, që prej aneksimit të Krimesë, dhe për dërgimin e trupave dhe armëve në ndihmë të separatistëve pro-rusë në Ukrainë, të cilët luftojnë kundër forcave qeveritare, akuza këto që Moska i ka hedhur poshtë.

Top Channel