Një ditë pasi denoncoi politikisht si selektive prishjet e godinava pa
leje nga INUK, Partia Demokratike ka nxjerrë këtë të premte edhe emrat e atyre, që
sipas saj kanë përfituar duke ruajtur ndërtimet.

Sipas deputetit Kletis Kruja, ato i perkasin drejtuesve dhe njerezve te afert te Partise Socialiste.

“Prishjet selektive të ndërtimeve nga Edi Rama, po lënë pas jo vetëm gërmadha e varfëri, por po nxjerrin në dritë pabarazinë e qytetarëve. Kjo padrejtësi është revoltuese e nuk mund të fshihet.Në zonën përballë maternitetit të ri, fadromat e Edi Ramës kanë bërë hi shumë ndërtime. Po si ka mundësi që nuk preket shtesa e vëllait të Koco Kokëdhimës, e cila ka zënë 1 metër e gjysëm trotuarin ku duhet të kalojnë qytetarët.Në rrugën Mine Peza, fadromat e Edi Ramës kanë shembur dyqane e njësi me të cilat ushqehen familjet. Por ka mbetur në këmbë si provë e lidhjeve politike, ndërtesa Kryetarit të Partisë Socialiste për njësinë 10.Zonën e Don Boskos, Edi Rama e ka përdorur për të bërë propagandë me prishjet që po bën. Po si shpjegohet që nuk preket lokali i Drejtorit të Personelit në Policinë e Shtetit, Xhevahir Karaj. Karaj është i paprekshëm pasi njihet edhe si  donator i Partisë Socialiste në zgjedhje. Në Kombinat, është një lokal në mes të rrugës, në mes të lulishtes. Kuptohet nga emri se kush e ka. Quhet Dako Kafe dhe e zotëron djali i xhaxhait të Kryetarit të Bashkisë së Durrësit. Prishjet selektive të Ramës e kanë kursyer.Po në këtë zonë, në mes të hapësirës publike gjendet një ndërtesë e madhe që ka zaptuar lulishten. Pse lejohet kjo nga Edi Rama?! Se i përket një funksionari të lartë të INUK. INUK është kthyer në një bandë zuzarësh që vepron sipas urdhërave politike të Edi Ramës. Ne do të jemi në krah të qytetarëve të vendit dhe i ftojmë ata të përdorin cdo mjet për të kundërshtuar dhunën qeveritare ndaj të pamundurve, dhe paprekshmërinë për ata që kanë lidhje me Kryeministrin”, tha Kruja.

Top Channel