Jahjaga refuzon kërkesën e bllokut

24/10/2014 00:00

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u ka kthyer përgjigje negative
liderëve të LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s të cilët i kishin kërkuar asaj që
t’i drejtohej edhe një herë për sqarime në lidhje me krizën
institucionale Gjykatës Kushtetuese.

Duke u kujtuar atyre përgjegjësitë që kanë si deputetë për formimin e institucioneve, presidentja Jahjaga i ka ftuar që të mblidhen në një takim të përbashkët me gjithë liderët dhe të gjejnë zgjidhje konform Kushtetutës.
 
“Nisur nga të gjitha këto kërkesa, besoj se është e domosdoshme që liderët e partive politike parlamentare të pajtohen që të mblidhen në një takim të përbashkët në Zyrën e Presidentes. Qëllimi i takimit do të jetë gjetja e zgjidhjes përbrenda këtij kuadri të përcaktuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e Jahjagës.
 
Ndërkohë në Gjykatën Kushtetuese tashmë është pranuar lënda e Zyrës së Avokatit të Popullit që pretendon se presidentja Jahjaga bëri shkelje kushtetuese kur ua vazhdoi mandatin tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Zyra për Informim e Kushtetueses përmes një përgjigje elektronike ka konfirmuar për Top Channel se tashmë lënda ndaj presidentes është duke u shqyrtuar.

Në përgjigjen e Gjykatës thuhet se kërkesa po shqyrtohet në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese si dhe Rregulloren e punës së Gjykatës.

Top Channel