Stamboll, “pudër e verdhë” në konsullatat perëndimore

24/10/2014 00:00

Stambolli është “tronditur” gjatë së premtes nga disa pako që përmbanin pluhur të paidentifikuar në ngjyrë të verdhë, të cilat janë dërguar njëkohësisht nëpër konsullatat e vendeve perëndimore, si Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Belgjika apo dhe Gjermania, duke ngritur alarmin e sigurisë pas dy sulmeve militantë në Kanada këtë javë.

Një punonjës i konsullatës kanadeze ra drejtpërdrejt në kontakt me pakon e dyshuar, ndërsa 6 të tjerë patën ekspozime indirekte me të, raporton Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive në Turqi, AFAD, përmes një deklarate. 9 persona janë shtruar në spital në shenjë përkujdesjeje.

Ekipet kanë dekontaminuar konsullatat kanadeze dhe belge dhe po punonin për pastrimin e misionit diplomatik gjerman, tha zëdhënësi i AFAD, Dogan Eskinat.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Turqi konfirmoi se Konsullata e Përgjithshme në Stamboll ka marrë gjithashtu edhe një zarf me këtë pudër “të dyshimtë”, me të cilën “është vepruar sipas protokolleve të sigurisë”, bëri të ditur zëdhënësi, i cili shtoi se “konsullata po operon normalisht”.

Ende nuk ka asnjë deklaratë mbi llojin e pudrës në fjalë, mostra të së cilës janë dërguar në laboratoret e kryeqytetit Ankara për t’u testuar. Edhe konsullata dhe ambasada të tjera në Turqi kanë rishikuar masat e sigurisë.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel