Ditën kur alienët ndërprenë ndeshjen e futbollit

24/10/2014 00:00

Më 27 tetor të 1954-ës në “Artemio Franchi” Fiorentina luante derbin me rivalët lokalë të Pistoiezes, ndeshje që u ndërpre në momentin kur një grup objektesh të paidentifikuara fluturuan mbi qiell.

Ishin alienë? Nëse jo, çfarë ishin? Këtyre pyetjeve nuk u është dhënë përgjigjje ende, por dëshmitarët e kohës shprehen të bindur. Ata rrëfejnë momentin kur i gjithë stadiumi heshti dhe ngriti kokën lart për të parë objektet e çuditëshme fluturuese.

Njëri prej atyre në fushë ishte edhe Ardico Magnini. “Mbaj mend gjithçka ndodhi atë ditë, nga A deri tek Z. Ishte diçka që dukej si një vezë fluturuese që lëvizte ngadalë-ngadalë. Të gjithë ishim me sytë nga qielli, ndërkohë që në tokë binte një gjë e çuditëshme e lëshuar nga këto objekte, e ngjashme me dëborën. Mbetëm pa fjalë. Nuk kishim parë asnjëherë diçka të tillë”, thotë ai.

Në raportin e gjyqtarit të takimit shkruhet se ndeshja u ndërpre pasi lojtarët dhe gjithë stadiumi pa diçka të çuditshme në qiell.

Mes tifozëve në stadium ishte edhe Gigi Boni, një tifoz i Fiorentinës. “Mbaj mend shumë mirë kur pashë objektet. Ishin duke lëvizur shumë shpejt dhe krejt papritur ndaluan. Për nga forma ngjasonin shumë me purot kubane”, thotë ai.

Sa më shumë kalon koha, aq më shumë Boni-t i mbushet mendja se bëhej fjalë për jashtëtokësorë. “Ishin jashtëtokësorë. Këtë besoj unë dhe nuk mund t’i jap ndonjë shpjegim tjetër atyre që pashë”.

Romolo Tuci sot ka kapur të 70-at. Ai ishte protagonist si lojtarë në atë takim dhe dëshmitar i atyre pamjeve. “Në ato vite të gjithë flisnin për alienët, por ne patëm fatin t’i shihnim me të vërtetë, t’i shihnim drejtpërdrejtë”, thotë ai.

Incidenti i ndodhur në stadium nuk mund të shpjegohet si “histeri masive”. Dëshmitë kryesore mbërrijnë nga stadiumi sepse aty ishte grumbulluar pjesa më e madhe e njerëzve, por më vonë një pjesë e madhe e Toskanës do të fliste për atë që kishin parë.

Roberto Pinotti është president i Qendrës Kombëtare Italiane për UFO-t. “Lojtarët dhe publiku mbetën pa fjalë nga këto objekte fluturuese. Në atë kohë gazetat shkruanin për alienë të mbërritur nga Marsi. Sot e dimë që kjo nuk është e vërtetë, por sërish mund të themi se ishte një fenomen teknologjik që nuk mund të lidhet me asgjë në Tokë”, thotë ai.

Dëshmitë, fotot, shkrimet e kohës pohojnë që të gjitha se ditën që u panë në qiell këto objekte, nga ajri nisi të bjerë në formë dëbore një lëndë e çuditshme, ngjyrë të argjendtë që me kontaktin e parë shpërbëhej, ashtu siç shkrin dëbora e parë.

Por pavarësisht gjithë këtyre dëshmive, skeptikët nuk janë të paktë. Njëri prej tyre është James McGaha, ish-pilot i ushtrisë amerikane i shndërruar në astronom.

“Gjithçka është një mit i zhvilluar mbi bazën e idesë së alienët po vijnë për të në shpëtuar ose për të na shkatërruar. Kur u njoha së pari me këtë rast mendova se mos ishte një meteor. Por kjo rrëzohej nga dëshmitë, ndaj ajo që mund të ketë ndodhur me të vërtetë është se mbi stadium nuk kanë fluturuar alienë, por merimanga emigratore që shfrytëzojnë rrymat e ajrit për të lëvizur. Këto merimanga janë regjistruar në 8 mijë metra lartësi. Ato shfrytëzojnë erën për të lëshuar rrjetat e tyre tejet të holla mbi të cilat lëvizin. Nëse bie dielli tek këto rrjeta atëherë krijohen disa efekte, që në këtë rast mund të kenë ngjasuar me UFO”, thotë ai. 

Top Channel