“The Voice of Albania 4”, nisin betejat brenda grupeve

24/10/2014 00:00

Nga sot në mbrëmje nisin betejat në “The Voice of Albania 4”. Trajnerët, pasi krijuan skuadrat, tashmë kanë bërë gati duelet kokë më kokë brenda tyre.

Pas performancave të çdo dueli, ata do të zgjedhin se cili prej tyre do ta fitojë atë, ndërkohë që konkurenti tjetër do të lërë garën.

Dy prej trajnerëve flasin për skuadrat e tyre dhe strategjitë që do të ndjekin.

Sidrit Bejleri shprehet: “Në ekipin tim nuk janë ato vokale që kanë qenë të paktën dy vite më përpara. Kjo ndoshta e kondicionuar nga mosha e tyre e re, por mund të veçoj 2-3 prej tyre me vokal “luftarak”. Do të vendos dy vokale të të njëjtit stil të përplasen me njëri-tjetrin e për këtë arsye do të ketë një luftë të fortë. Në këtë mënyrë, do të ngelet përfaqësuesi më i denjë i stilit.”

Ndërsa Genc Salihu thotë: “Kam fatin të kem një skuadër shumë të mirë, me zëra të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe po mundohem të bëj një strategji që të sjellë beteja të bukura për publikun.”

Cdo trajner do të ketë të drejtën të marrë një konkurent të eliminuar nga skuadrat e tjera në këtë fazë betejash që do të transmetohet çdo të premte mbrëma në Top Channel.

Top Channel