Kerry: Nuk tërhiqemi nga gadishulli korean

24/10/2014 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se është ende herët të flitet për reduktim të forcave amerikane nga gadishulli korean, pa pasur negociata “autentike dhe të besueshme” me Penjanin në lidhje me dhënien fund të programit të tij bërthamor.

Kerry është shprehur i gatshëm për rinisjen e bisedimeve për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut, edhe pse theksoi se “nuk ka asnjë vlerë të ulesh në bisedime vetëm për hir të bisedave”, pa pasur efektivitet.

Çështja është diskutuar mes Kerryt dhe homologut të tij koreano-jugor, Yun Byung-se, në Departamentin e Shtetit. “Korea e Veriut duhet të demostrojë seriozitet në lidhje me çarmatosjen bërthamore të saj”, tha Kerry. “Ne duhet të jemi të sigurt se Koreja është gati të zbatojë detyrimet ndërkombëtare, bazuar mbi normat ndërkombëtare të të sjellurit”.

Por, Kerry tha se nëse “thjesht futemi në bisedime” me Penjanin, kjo nuk është e mjaftueshme, ndaj dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë vigjilente kundër kërcënimit që shfaq Korea e Veriut.

“Thjesht më hyrjen në bisedime nuk përbën një ftesë për të marrë veprime në lidhje me trupat apo diçka tjetër”, tha Kerry pas takimit me Byung-se. “Do të ishte tepër e parakohshme edhe ta mendonim, apo ta diskutonim diçka të tillë”.

Prezenca e SHBA-ve në Korenë e Jugut është një burim kyç për irritimin e Koresë së Veriut, e cila kërcënon vazhdimisht se do të sulmojë Shtetet e Bashkuara dhe do të shkatërrojë Jugun.

Top Channel