Marysville, të shtëna. Dy të vdekur, 5 të plagosur 

24/10/2014 00:00

Një person i pajisur me armë zjarri shkaktoi vdekjen e një studenti në gjimnazin e “Marysville Pilchuck” në Uashington.

Sipas të dhënave paraprake 5 persona të tjerë raportohen të jenë plagosur nga hapja e zjarrit. Në kushte anonimati nxënësit e tjerë thonë se vrasësi ishte po student në atë shkollë, i cili nga një djalë shumë popullor kolegji, kohët e fundit ishte kthyer në viktimë ngacmimesh e fyerjesh, e njohur ndërkombëtarisht si fenomeni “bullying”.

“Seattle Times” raporton se personi në fjalë pasi kishte ekzekutuar bashkëmoshatarin e tij, më pas ishte vetëvrarë. Por nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara përfshihet në ngjarje të tilla të paprecedenta.

Atje numërohen mbi 6 raste vrasjesh dhe plagosje masive nëpër shkolla. Por duket se masat e viteve të fundit nga ana e Uashingtonit për çështjen e sigurisë nëpër shkolla, nuk janë edhe aq rezultative. “Marysville Pilchuck” është një nga shkollat më të mëdha të Uashingtonit, afërsisht 2,500 nxënës.

Autoritetet arsimore të Marysville kanë publikuar një deklaratë, ku thuhet se “shkolla e Pilchuck është e bllokuar për shkak të një situate emergjente, së cilës i janë përgjigjur policia dhe shërbimet e urgjencës. Gjendja do të vijojë e tillë deri kur të jepet njoftim i dytë nga zbatuesit e ligjit, ndërsa ne do të vazhdojmë komunikimin e pandërprerë me ta. Studentët që ndjekin kampusin MPHS janë transferuar në kishën e Komunitetit “Shoultes”, ndërsa nga aty do të transferohen për në shtëpi me autobusë. Prindërit e ndodhur në vendngjarje duhet të drejtohen për në kishë për të nxjerrë fëmijët e tyre, pasi të marrin konfirmimin e administratorit të shkollës apo zbatuesve të ligjit”.

Top Channel