Forcat izraelite vrasin një 14 vjeçar palestinez

25/10/2014 00:00

Një i ri palestinez është vrarë gjatë ditës së premte pas përleshjeve mes ushtarëve izraelitë dhe protestuesve palestinezë në Bregun Perëndimor. Lajmi është konfirmuar nga shërbimet mjekësore.

Orwah Hammad, 14 vjeç, është qëlluar në kokë gjatë përleshjeve që ndodhën në veri të Ramallah.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite foli për “Reuters”, duke thënë se ushtria arriti të parandalonte një sulm me bomba molotov në një rrugë kryesore në Silwad. Ai konfirmoi se ushtria hapi zjarr dhe është qëlluar një person, por shtoi se do të kryhen hetime në lidhje me këtë rast. Gjithashtu raportohet se gjatë së premtes pati përleshje edhe në disa zona të tjera me popullsi arabe në Jeruzalem, ku disa persona kanë mbetur të plagosur.

Për vrasjen e të miturit reagoi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Zëdhënësja, Jen Psaki bëri thirrje për një ‘hetim të shpejtë dhe transparent’. Ajo shtoi se zyrtarët amerikanë do t’i ndjekin nga afër hetimet lidhur me këtë rast.

Tensionet nisën pasi një numër i madh shtetasish izraelitë, të shoqëruar nga policia, vizituan një vend të shenjtë në Jeruzalem, pasi ditën e premte hebrenjtë festonin një festë të quajtur Sukkot.

Në Jeruzalem pati tensione edhe të mërkurën, kur një foshnje 3-muajshe humbi jetën dhe 8 persona u plagosën pasi makina e drejtuar prej një palestinezi përplasi një grup njerëzish në një stacion tramvaji.

Drejtuesi i automjetit, i identifikuar si Adbel-Rahman Shaloudi, u qëllua nga forcat e policisë ndërsa tentonte të largohej nga vendngjarja në këmbë.

I riu 21-vjeçar është nipi i një prodhuesi të njohur bombash për Hamasin, të vrarë në Bregun Perëndimor në vitin 1988.

Top Channel