Luis Suarez nuk kafshon më

25/10/2014 00:00

Luis Suarez hap sërish gojën, por këtë herë jo për të kafshuar, por për të folur. Sulmuesi uruguajan i cili pritet të rikthehet në ndeshjen Real Madrid-Barcelona pas dënimit 4-mujor që mori pas kafshimit të Chiellini-t në botërorin e Brazilit, thotë se prej muajsh ka nisur “rehabilitimin”.

Në një intervistë dhënë britanikes “The Guardian” Suarez kërkon sërish ndjesë për veprimet e tij në fushën e lojës.

“Në fushë jam tjetër njeri dhe jashtë fushe tjetër. Jashtë jam i qetë, një baba dhe një bashkëshort. Në fushë shpërthejnë emocione të pakontrollueshme. Nuk më ndodh vetëm mua. Ka të tjerë që reagojnë duke goditur kundërshtarin me shqelma e grushta, ka që e pështyjnë. E kuptoj që kafshimi shihet akoma më keq dhe ka njerëz që më konsiderojnë të çmendur, por unë s’e shoh kështu”, thotë ai.

Megjithatë kjo është pjesë e së shkuarës për të. “Po kurohem dhe ndjehem më mirë. Mendoj se e kam hedhur pas krahëve të keqen që më shoqëronte në fushë. Mendoj që jam në rrugën e duhur dhe për këtë iu jam drejtuar personave që mund të më ndihmonin për të kontrolluar këtë lloj sjelljeje. Janë personat e duhur dhe me mua funksionoi”, thotë uruguajani.

Në gjithë karrierën e tij, Chiellini ishte i treti (shpresojmë edhe i fundit) që kafshohej nga Suarez. Viktima e tij e parë ka qenë në Uruguaji, pastaj serbi Branisllav Ivanovic në Angli. 

Top Channel