Qelizat staminale, “makineritë vrasëse” të kancerit

25/10/2014 00:00

Shkencëtarët e Shkollës së Mjekësisë në Harvard thonë se kanë zbuluar mënyrën për të transformuar qelizat staminale në “makineri vrasëse” për kancerin në tru.

Eksperimenti është kryer tek minjtë. Qelizat staminale u modifikuan gjenetikisht për të prodhuar toksina që shkatërrojnë qelizat tumoriale në tru pa prekuar qelizat normale.

Studimi është publikuar në revistën “Stem Cells” dhe nga komuniteti i shkencëtarëve të kësaj fushe konsiderohet si e ardhmja e luftës kundër kancerit, jo vetëm të atij në kokë, por në tërësi.

Khalid Shah, udhëheqës i studimit, Drejtor i Laboratorit të Neuro-terapisë Molekulare në Spitalin e Masaçusetsit dhe në Shkollën e Mjekësisë së Harvardit e cilësoi rezultatin e eksperimentit si shumë pozitiv.

“Pas bëmë të gjitha analizat, u siguruam që qelizat staminale të modifikuara gjenetikisht vrasin qelizat kanceroze. Toksinat që shkatërrojnë qelizat kanceroze u përdorën me sukses në disa lloje të kancerit në gjak. Megjithatë për të kuruar kancerin solid metoda nuk funksionon si duhet pasi toksinat kanë një jetëgjatësi të shkurtër. Tani kemi qelizat staminale që gjenerojnë dhe lëshojnë toksina që shkatërrojnë kancerin”, thotë ai.

Shkencëtarët thonë se faza tjetër është testimi i kësaj procedure tek njeriu.

Top Channel