“UEFA fajësoi shqiptarët pa prova”

25/10/2014 00:00

Vendimi i turpshëm i Komisionit të Disiplinës në UEFA vazhdon të bëjë jehonë në mediat europiane. Prestigjozja britanike “The Guardian” ka publikuar opinionin e shefit të Korrespondentëve të Sportit të kësaj gazete, Ouen Gibson, i cili e nis shkrimin me një citim të presidentit të UEFA-s “që politika dhe sporti nuk duhet të përzihen me njëra-tjetrën”.

Por në vazhdimin e shkrimit, Gibson thekson se në stadiumin e Partizanit të Beogradit kishte banderola që lartësonin kriminelët e luftës, gjë e cila sipas tij i vë një pikëpyetje të madhe deklaratës së numrit një të UEFA-s. Gibson shkruan gjithashtu se tifozët serbë këndonin gjatë gjithë kohës ‘Vritini shqiptarët’ dhe ‘digjni ata të gjallë derisa asnjë prej tyre të mos mbetet i gjallë’.

Sipas analistit britanik, paraqitja e huliganit famëkeq Ivan Bogdanov në tribunë dhe më pas në fushë, tregon në mënyrë simbolike mungesën e dëshirës apo paaftësinë e autoriteteve serbe dhe policisë për të siguruar mbarëvajten e ndeshjes, gjë e cila të sjell në mendje lidhjet e ngushta mes tifozëve ultras të Beogradit dhe kriminelit Arkan në fund të viteve ’90″.

Gabimi më i madh i UEFA-s, sipas Gibson, është se fajësoi pa patur asnjë provë shqiptarët për banderolën që fluturoi atë natë mbi stadiumin e Beogradit. Sipas gazetarit britanik vendimi për të luajtur dy ndeshjet e ardhshme me stadium të boshatisur, nuk do të zgjidhë problemin që kanë tifozët serbë, agresioni i të cilëve është rast i përsëritur.

Ndërkohë ish-sulmuesi i kombëtares jugosllave dhe i Realit të Madridit në vitet ‘90, Pedrag Mijatoviç ka dalë kundër pjesës më të madhe të serbëve dhe është shprehur i kënaqur me vendimin.

“Nuk duhet harruar që futja e tifozëve në fushë e penalizon rënde një skuadër. Duhet të jemi të kënaqur me kaq, pasi ekzistonte mundësia që UEFA ta kishte përjashtuar Serbinë nga eleminatoret e Euro 2016”, ka thënë 45-vjeçari.

Top Channel