FSHF zbardh detajet për Apelin

25/10/2014 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit është e bindur se vendimi i dhënë nga disiplina e UEFA nuk i është përmbajtur një arsyetimi ligjor.

Sipas institucionit që drejton futbollin shqiptar vendimi është i orientuar që të ndikojë rezultatet sportive të grupit eliminator. Gjatë një komunikate për shtyp FSHF ka bërë publike disa prova, me të cilat ajo mendon dhe shpreson se Apeli do të rrëzojë vendimin e Disiplinës.

Një nga pikat ku FSHF do të mbështetet në Apel është fakti se përgjegjësia për hyrjen e banerit fluturues në stadiumin e “Partizanit” dhe siguria në atë impiant është e vendit organizator. FSHF rikthekson se Disiplina me vendimet e saj ka barazuar një stadium që ofroi parrulla etnike, politike, fetare dhe urrejtje raciale me një baner të vetëm, të paligjshëm, autorësia e të cilit është ende anonim.

Në komunikatë shkruhet se nuk ekziston asnjë vendim i arbitrit dhe as i zyrtareve të tjerë të UEFA-s që siguria në stadium u rivendos. Ajo që na bëri të humbin ndeshjen në tavolinë, refuzimi i tanëve për të vazhduar ndeshjen, hidhet kategorikisht poshtë nga FSHF.

Lojtarët shqiptarë, thuhet në këtë komunikatë, nuk u njoftuan kurrë që zyrtari i ndeshjes vendosi që takimi të vazhdonte. Nuk ka referencë, në raportet zyrtare që zbrazja e stadiumit ishte mënyra e përshtatshme për të vendosur kushtet e sigurisë.

Sipas FSHF-së, nëse për zyrtarët e UEFA-s, kjo ishte gjëja e drejtë që duhej bërë, atëherë ata duhet të zbraznin stadiumin dhe më tej të rifillonin ndeshjen dhe të ftonin lojtarët shqiptarë në fushë, nëse ata i konsideronin lojtarët shqiptarë në gjendje për të luajtur.

Në fund komunikata mbyllet me fjalinë: “Vendimi për të mos luajtur nuk ishte një vendim që morëm ne, ishte një pamundësi për të luajtur dhe jo refuzim”.

Pikat ku do të mbrohet FSHF:

E para: FSHF nuk mban asnjë përgjegjësi për hyrjen e banerit fluturues në stadiumin e Partizanit. Siguria është një përgjegjësi e organizatorit. Nuk kishte tifozë shqiptarë në stadium. FSHF nuk mund të jetë përgjegjëse për mungesën e sigurisë në territorin serb, brenda dhe jashtë stadiumit.

E dyta: Nuk ekzistonin më kushtet e sigurisë për të vazhduar lojën. Arbitri i drejtoi lojtarët jashtë fushës për arsye sigurie dhe sipas raporteve nuk ekziston vendim i arbitrit dhe as i zyrtareve të tjerë të UEFA-s, që siguria u rivendos. Fusha mbeti e pasigurtë.

Së treti: Ka prova të qarta mjekësore që lojtarët e ekipit shqiptar ishin fizikisht dhe psikologjikisht të paaftë të luanin, si pasojë e dëmtimeve që rrodhën nga dhuna e tifozëve vendas që hynë në fushë.

Së katërti: Ndëshkimet janë dukshëm të padrejta, sepse thuajse barazojnë dënimet. Një stadium që ofroi parrulla etnike, politike dhe fetare, urrejtje raciale u ndëshkua në mënyrë të njëjtë, me një baner të vetëm, të paligjshëm dhe me origjinë të pavërtetuar.

Së pesti: Shkaqet finale që çuan në braktisjen e ndeshjes ishin mungesa dukshme e sigurisë dhe dhuna e pësuar nga lojtarët shqiptarë dhe e ushtruar nga tifozët vendas.

Top Channel