“E vërteta që nuk u pa nga UEFA”

25/10/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Sportit, Lindita Nikolla, kanë
publikuar një video në rrjetin social Facebook, ku shihet qartë dhuna
psikologjike dhe fizike e tifozëve serb ndaj lojtarëve të kombëtares
shqiptare gjatë ndeshjes me Serbinë.

Ministrja Lindita Nikolla ka shprehur tronditjen nga vendimi i Disiplinës në UEFA, madje ajo fton të gjithë shqiptarët t’i bashkohen për të vënë në jetë një ide të thjeshtë: Shpërndarjen e nje video-dokumenti, te cilin UEFA nuk deshi ta merrte në konsideratë, kur vendosi ndëshkimin e Shqipërisë me humbje të ndeshjes në tavolinë.

Gjatë postimit të videos në FB, Nikolla shkruan se në video është dokumentuar e vërteta, që UEFA mundi ta shihte, pa mundur ta respektojë.

Pasi ka kërkuar ndihmën e të gjithë shqiptarëve për ta shpërndarë këtë video, Nikolla është shprehur e bindur se UEFA do të kuptojë se janë shumë më tepër sy e veshë, sesa sytë dhe veshët e shqiptarëve, të cilët do të presin të shohin e të dëgjojnë si do t’i shkojë halli drejtësisë së munguar, në këtë ditë të trishtueshme për “Fair Play”-n në Evropë dhe për drejtësinë në gjirin e UEFA-s!

Top Channel