PS: PD t`i drejtohet Bashkisë së Tiranës

25/10/2014 00:00

Deputetja socialiste Blerina Gjylameti tha se opozita duhet t`i
drejtohet Bashkise së Tiranës për ankesën e saj se prishja e ndërtimeve
nga INUK po bëhet në mënyrë selektive.

Gjylameti tha se INUK ka prishur plot 1400 objekte te paligjshme dhe ka çliruar 98 mije metra katror hapesire publike, qe sipas socialisteve, eshte abuzim me teritorin nga kryebashkiaku Lulzim Basha.

“Plot 1400 objekte të paligjshme janë prishur deri më sot. Opozita akuzon për shembje selektive, por e vërteta është krejt ndryshe. Në asnjë rast të vetëm nuk ka patur shembje selektive, në asnjë rast të vetëm nuk është lënë pa shembur ndonjë objekt i ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Të vetme ndërtime që nuk janë prishur në këtë fazë janë ato që janë legalizuar nga qeverisja e mëparshme, duke i dhënë shkelësve të ligjit, tapi për hapësira publike. Në këtë pikë na lind e drejta t’i drejtojmë një pyetje opozitës: Përse nuk i drejtoheni kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për shqetësimet tuaja, për ndërtimet e paligjshme që nuk janë shembur nga INUK.Nuk është faji i INUK që Lulzim Basha e ka braktisur Bashkinë e Tiranës. Nuk është faji i INUK që vizioni i vetëm i Partisë Demokratike për zhvillimin e kryeqytetit janë ndërtimet pa leje dhe zaptimi i hapësirës publike. Ne jemi të vendosur të rikthejmë ligjshmërinë në çdo metër katror të kryeqytetit dhe të vendit, dhe t’u rikthejmë qytetarëve hapësirat, rrugët e trotuaret e zaptuara në mënyrë të paligjshme. Nëse Lulzim Basha e sheh ende veten si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, detyra e tij është t’i bashkohet këtij aksioni. Nëse është i paaftë, ose nuk dëshiron të përmbushë detyrimet e tij kundrejt ligjit dhe qytetarëve, atëherë le të japë dorëheqjen një orë e më parë”, tha Gjylameti.

Top Channel