Putin: Ndihmuam Yanukovych të arratisej

25/10/2014 00:00

Që Rusia ndihmoi presidentin e rrëzuar të Ukrainës, Viktor Yanukovych të arratisej nga vendi pas protestave të dhunshme të muajit shkurt, kjo dihej. Por risi është se këtë e ka konfirmuar tani dhe për herë të parë vetë presidenti rus Vladimir Putin.

Duke folur në një takim në Soçi, Putin theksoi se ish-presidenti ukrainas u rrëzua me forcë. “Do ta them hapur, ai na kërkoi të arratisej për në Rusi dhe ne e ndihmuam”, tha Putin.

Duke qëndruar tek kontesti ukrainas, shefi i Kremlinit kritikoi qeverinë pro-perëndimore në Kiev se është më shumë e prirur të përdorë forcën kundër rebelëve sesa të angazhohet në bisedime. “Shohim vazhdimisht të njëjtën gjë: shtypje përmes forcës”, tha presidenti rus.

Zona rusishtfolëse në lindje të Ukrainës mbështeste Yanukovych dhe u rebelua ndaj rrëzimit të tij, lëvizje këto që pasuan me një seri aktesh dhune, që edhe sot nuk kanë përfunduar.

Ditën e diel Ukraina do të zgjedhë Parlamentin e ri, ndërkohë që separatistët në lindje do të mbajnë zgjedhjet e tyre muajin e ardhshëm.

Kancelarja gjermane Angela Merkel i tha zotit Putin se zgjedhjet në lindje duhet të mbahen në bazë të ligjeve ukrainase.

Në takimin e djeshëm në Soçi, Putin u shfaq i qetë, bëri shaka dhe tha se Rusia nuk dëshiron konfrontime dhe nuk ka ndjenja armiqësore për shkak të sanksioneve.

Top Channel