Samiti europian i krerëve të shteteve dhe qeverive konfirmoi Strategjinë e BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian, siç propozoi në 17 qershor Komisioni Europian.

Strategjia synon të promovojë zhvillimin dhe prosperitetin për 70 milionë banorët e rajonit, duke e bërë më tërheqës atë dhe duke përmirësuar lidhjet dhe konkurrencën.

Katër vende të BE-së, Kroacia, Greqia, Italia dhe Sllovenia bashkëveprojnë me 4 vendet e Ballkanit, Shqipëri, Serbi, Bosnje dhe Mal i Zi, në projekte të përbashkëta, me përfshirjen e shoqërisë civile dhe kompanive private në 4 fusha kyçe: Cilësinë mjedisore, zhvillimin blu, lidhjen rajonale dhe turizmin e qëndrueshëm.

Komisioneri Johannes Hann e quajti vendimin e samitit një gur kilometrik të rëndësishëm për qëllimin e trajtimit të përbashkët të problemeve dhe shpërndarjen e mundësive tek partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, u takon tashmë vendeve të përmendura që të punojnë për ta përkthyer këtë strategji në rezultate. Komisionerja Maria Damanaki vlerëson gjithashtu strategjinë makro-rajonale përmes një komunikate për shtyp.

Strategjia e BE-së për zhvillimin blu tregoi, sipas saj, se detet e oqeanet kanë potencial të gjenerojnë vende pune dhe zhvillim të madh ekonomik.

Një strategji e ngjashme po përgatitet nga Komisioni për rajonin Alpin, ku përfshihet Austri, Francë, Zvicër, Lihtenshtein, Gjermani, Itali e Slloveni.

Ky ishte samiti i fundit europian për kreun e deritanishëm të Unionit, Herman Van Rompuy, i cili pasohet në këtë detyrë, më 1 Dhjetor nga i zgjedhuri i BE-së, Donald Tusk, ish-kryeministër i Polonisë.

Për foton e fundit të përbashkët me udhëheqësit europianë, ish-kryeministri belg Van Rompuy ftoi në institucionin që drejtoi për dy mandate radhazi dhe 6 nipërit e mbesat e tij, duke mbyllur karrierën e tij politike në moshën 67-vjeçare.

Top Channel