Mirush Kabashi interpreton në Londër

25/10/2014 00:00

Në debutimin e parë në një skenë teatrale londineze, mjeshtri i skenës shqiptare, Mirush Kabashi interpretoi me një nivel shumë të lartë artistik monodramën “Apologjia e vërtetë e Sokratit”.

Në shfaqjen e dhënë në teatrin e Londrës “King’s Place”, në një sallë të tejmbushur nga diplomatë të huaj të akredituar në Londër, artëdashës anglezë dhe shqiptaro-britnaikë, aktori i mirënjohur shqiptar përçoi tek publiku vlerat e një interpretimi mjeshtëror artistik dhe forcen e fjalës shqipe në skenë.

Pas shfaqjes Mirush Kabashi tha për Top-Channel se ndihej krenar dhe i privilegjuar që kishte interpretuar në një skenë teatrale londineze, pasi siç u shpreh ai, Londra është Londër, metropol i artit dhe vendi i Shekspirit të madh.

“Shfaqja edhe mua më pelqeu shumë sepse nuk mund të kuptohet mbarëvajtja e një shfaqjeje pa spektatorin. Niveli i spektatorit është jashtëzakonisht i rëndësishëm në mbarëvajtjen e një shfaqjeje, pasi aktori kërkon të japë më të mirën, të pasyrojë ose komunikojë dhe përcjellë jo vetëm mesazhe. Këtu me të vërtetë qe një ambjent i tillë, prandaj është Londër”, u shpreh Kabashi.

“Apologjia e Vërtetë e Sokratit” u organizua nën kujdesin e Ambasadës Shqiptare në Britani dhe me sponsorizimin e disa biznesmenëve shqiptarë në Londër. Ambasadori Mal Berisha, duke folur pas shfaqjes tha se, arti dhe kultura shqiptare janë të një cilësie dhe një niveli evropian dhe botëror.

“Ndoshta gjëja me të cilën ne e bindim më shumë Evropen që jemi njerëz që i takojmë këtij kontinenti është arti dhe kultura. Sonte pamë një shfaqje e cila ka dinjitetin e duhur për t’u performuar në çdo sallë presitigjoze të botës, siç është kjo këtu sonte”, tha ambasadori Berisha.

Në shfaqjen e dhënë në teatrin e Londrës “King’s Place” të pranishmit e huaj e ndiqnin përmbajtjen e monodrames njëkohësisht përmes titrave në anglisht, çka mundësoi që publiku anglez të shijonte përmes mjeshtrisë artistike të aktorit Mirush Kabashi këtë vepër të fuqishme të antikitetit, me një aktualitet absolut të kohës që jetojmë.

Top Channel