“Vendimet e gjykatave, kërcënim për sigurinë”

25/10/2014 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i është drejtuar sërish me një letër presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Në qendër të korrespondencës së Tahirit për kreun e shtetit janë sërish gjykatat dhe vendimet e tyre.

Duke iu drejtuar Nishanit në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Tahiri i referohet plot 25 rasteve kur prokuroria ka kërkuar dënim me burg për autorët e veprave penale dhe gjykata i ka lënë në gjendje të lirë ose në arrest shtëpie.

Ndër këto spikat edhe vepra penale e “shfrytëzimit të prostitucionit”, ndërsa renditen edhe të tjera si “armëmbajtje pa leje”, “plagosje me dashje”, “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “vjedhje”, “organizim i paligjshëm i lojrave të fatit”, “kundërshtim i forcave të policisë” e deri tek “drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”.

Këtë të fundit Tahiri e ilustron me statistikën se nga 1.796 shtetas të kapur nga policia, vetëm 1 për qind e tyre janë mbajtur në burg sipas ligjit. Ndaj këtyre veprave, thotë Tahiri, gjyqtarët kanë mbajtur qëndrim liberal, duke përbërë kërcënim për qytetarët dhe duke vështirësuar njëkohësisht punën e Policisë së Shtetit.

“Gjyqtarët nuk duhen garantuar kurrësesi se këto vendime, pas të cilave më së paku qëndron paaftësia e po kaq korrupsioni kapilar në dyert e gjykatave, do të mbeten të fshehta e pa iu nënshtruar asnjë lloj vlerësimi”, i thotë Tahiri Nishanit.

Duke i kërkuar presidentit që KLD të verifikojë rastet, Tahiri thotë se: “Kërcënim më të madh për sigurinë sesa kriminelë që arrestohen nga policia e pastaj lihen të lirë nga gjykata, nuk ka”.

Duke i kujtuar kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë se ende nuk është marrë asnjë masë për vendimet flagrante të gjykatave që ministria që ai drejton i ka referuar më herët, Saimir Tahiri e mbyll këtë letër me shpresën se angazhimi i KLD në verifikimin e këtyre rasteve do të mbyllë shtegun e paligjshmërise nga çdo shkelës e mbi të gjitha do të bëjë gjykatësit të kuptojnë se asnjëri nuk është i pandeshkueshëm.

Top Channel