Hetime në Greqi për Sinanin

25/10/2014 00:00

Paralelisht me hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Julian Sinani kanë dashur ta marrin në pyetje hetues të gjykatës greke, specialistë të Sigurimit Grek, si dhe ata të Shërbimit Antiterror.

Faktet e reja i publikon e përditshmja greke “Kathimerini”, e cila thekson se të vetmit që kanë mundur të marrin në pyetje jozyrtarisht Sinanin kanë qenë dy hetues të Gjykatës së Apelit në Athinë.

Ata kanë mbërritur në Tiranë disa ditë më parë dhe kanë marrë dëshmi nga Sinani në mënyrë jozyrtare dhe në prani të prokurorëve shqiptarë, por përmbajtja e këtyre dëshmive nuk bëhet e ditur.

Ndërkohë, sipas një zyrtari të lartë të policisë greke, të cilit i referohet gazeta “Kathimerini”, Sinani ka pranuar para dy hetuesve nga Athina edhe dy vrasje ende të pazbardhura nga drejtësia greke, njëra prej të cilave në zonën Nea Erithrea dhe tjetra në lagjet jugore të kryeqytetit helen.

Muaj më parë, veç organeve greke të sigurimit kërkesë për të hetuar Sinanin kanë bërë edhe Shërbimi i Antiterrorit, por asnjë kërkesë nuk ka marrë përgjigje nga policia shqiptare, thekson “Kathimerini”.

Por mesa duket, shkruan gazeta greke, Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Prokurorisë së Apelit të Athinës për bashkëpunim juridik, që nënkupton marrjen pjesë në hetimet e 27-vjeçarit shqiptar, me praninë e prokurorëve shqiptarë.

Në këtë mënyrë, dëshmia e tij do të ishte pjesë e hetimeve të papërfunduara të organeve gjyqësore greke, pasi Sinani kishte deklaruar se ishte një vrasës me pagesë, një ekzekutues i të ashtuquajturave “kontratat e vdekjes”.

Pas arrestimit të tij 25 janarin e kaluar, ai pranoi se në qershor të vitit 2011 kishte vrarë dy persona në lagjen Gazi në Athinë. Gjithashtu, më 15 maj të atij viti ai ka pohuar se ka qenë pjesëmarrës në sulmin me bombë në gjykatën e Selanikut, përgjegjësinë e të cilit e mori organizata terroriste Komploti i Celulave të Zjarrit.

Top Channel