Katër persona kanë mbetur të plagosur në një përleshje të armatosur mes aktivistëve të BDI-së, që ndodhi një natë më parë në një lokal në fshatin Kondovë të Shkupit.

Menjëherë pas ngjarjes, tre nga personat e plagosur janë shtruar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa personi i katërt ndodhet në arrati. Nga policia kanë konfirmuar se njëri nga aktivistët e përfshirë në incident është i punësuar në Ministrinë e Brendshme.

“Gjatë përleshjes kanë marrë lëndime trupore katër persona, tre prej të cilëve ishin të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në incident. Pasi janë shtruar në spital, tek dy persona janë vërejtur lëndime të rënda trupore, kurse të tjerët kanë më të lehta. Polica ka dalë në vendin e ngjarjes për të kryer hetimet. Pas zbardhjes së plotë të rastit kundër këtyre personave do të ngrihen paditë adekuate”, deklaroi Dejana Nedelkoviç, zëdhënëse e MPB-së.

Policia ende nuk i ka zbardhur motivet e kësaj ngjarjeje. Ndërkohë, mediat në Shkup kanë shkruar se shkak për këtë incident janë bërë mosmarrëveshjet politike dhe se ngjarja ka ndodhur midis dy grupeve kundërshtare në degën e BDI-së në Saraj, njëri i afërt me deputetin Rafis Aliti dhe tjetri me ish-ministrin e Drejtësisë, Blerim Bexheti.

Vetë deputeti Rafis Aliti ka konfirmuar se personat e përfshirë në incident janë aktivistë të këtij subjekti, por ka hedhur poshtë informacionet se ngjajrja ka ndodhur si rezultat i mosmarrëveshjeve mes tij dhe ish-ministrit të Drejtësisë.

Ai ka thënë se incidenti ka ndodhur në një lokal ku nuk ka qenë i pranishëm dhe se motivet e këtij rasti nuk kanë lidhje me partinë.

Top Channel