Përgjigjet Nishani: Do adresojmë shqetësimet. Tahiri reagon sërish

25/10/2014 00:00

Zyra e presidentit Nishani i është përgjigjur mbrëmjen e së shtunës letrës së dërguar më herët gjatë ditës nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, lidhur me vendimet e gjykatave që lehtësonin pozitat e të akuzuarve për vepra të rënda penale.

Në reagimin e tij, presidenti Nishani e siguron ministrin Tahiri se institucioni i drejtuar prej tij do t’ia përcjellë këtë ankesë ministrit të Drejtësisë, duke i kërkuar këtij të fundit që të kryejë me shpejtësi të gjitha verifikimet e nevojshme dhe që, si autoriteti i vetëm i njohur me ligji, të nisë proçedimin disiplinor për të gjitha rastet e konstatuara me shkelje.

“Institucioni i Presidentit të Republikës do të dëshironte të shihte një koordinim dhe bashkëveprim të drejtpërdrejtë midis ministrave të qeverisë për çështjet që u ngarkon ligji, por ai mbetet i gatshëm të angazhohet për ta lehtësuar këtë bashkëpunim mes tyre”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Kreu i shtetit, duke e konsideruar reformën në drejtësi një nevojë të madhe për qytetarët shqiptarë, nxit më tej qeverinë që në vijim të konkluzioneve dhe rekomandimeve të konferencës se 6 tetorit të paraqesë sa më parë një platforme për këtë reformë dhe planin e veprimit për realizimin e saj.

“Qeveria të nisë sa më parë konsultimin e saj me Komisionin e Venecias, Komisionin Evropian, misionet ndërkombëtare të SHBA dhe BE, si dhe aktoret vendas, për të patur një rezultat konkret të kësaj reforme”, thuhet më tej në reagimin zyrtar.

Ndërkohë, duke reaguar pak momente pas kësaj deklarate, ministri Tahiri e ka vënë theksin tek rëndësia e shqyrtimit të rasteve të permendura prej tij, si dhe tek roli i rëndësishëm i presidentit si kryetar i KLD-së, në një kohë kur ky institucion është sipas tij tërësisht indiferent.

“Roli i presidentit është kyç në një kohë kur KLD është vënë në dijeni të këtyre shkeljeve, por nuk ka marrë ende asnjë vendim. KLD duhet të veprojë sa më parë për të marrë të gjitha masat”, thuhet në reagimin e ministrit të Brendshëm.

Për të përforcuar qëndrimin e tij, Tahiri citon rastin e gjyqtarit Osman Aliu, për të cilin thotë se, “presidenti në cilësinë e kreut të KLD-së është vënë në dijeni”.

Duke kujtuar se gjyqtari Aliu liroi në sallën e gjyqit përdhunuesin e një të miture, ministri ka shtuar: “Deri më sot, loja përcjellëse e përgjegjësive ka prodhuar situatën skandaloze në drejtësi. Qytetarët presin veprim aktiv dhe në kohë, si dhe marrje masash konkrete”.

Top Channel