Sampdoria ndal Romën në barazim pa gola

26/10/2014 00:00

Roma humbi një shans për të kaluar përkohësisht në krye të Serisë A, pasi u ndalën në barazim pa gola ndaj Sampdorias së vendit të tretë, e cila ruajti me sukses ecurinë e saj pa njohur humbje këtë sezon.

Romero ishte heroi i vendasve, i cili jo vetëm gjatë takimit, por edhe në fund ruajti rrjetën e tij të paprekur, duke u mohuar verdhekuqve 3 pikët në transfertën e Xhenovas.

Barazimi bën që Roma të kapë kryesuesit e Juventusit, por bardhezinjtë do të luajnë mesditën e së dielës ndaj Palermos, ndërsa Sampdoria mbetet vetëm 3 pikë larg tyre, duke iu rrezikuar vendi i tretë në rast të një fitoreje të Milanit ndaj Fiorentinas. Megjithatë, ecuria e të besuarve të Mihajlovic është mbresëlënëse, me 4 fitore dhe 4 barazime në këto 8 javë kampionati.

Në ndeshjen tjetër, Parma humbi në fushën e vet 3-1 ndaj rivalëve të Sassuolos, të cilët arritën kështu fitoren e parë të këtij sezoni. Emilianët e kanë nisur shumë keq këtë sezon, ku në 8 javë njohin vetëm 3 pikë dhe 7 humbje.

Floccari, Acerbi dhe Taider ishin autorët e golave për Sassuolon në “Tardini”, ndërsa për vendasit shënoi golin “e nderit” Antonio Cassano.

Edhe Empoli pati një paraqitje zhgënjyese, duke u mposhtur në fushën e vet, në Toskana, 4-0 nga sardët e Cagliarit, falë dygolëshit të Avelar dhe golave të Sau e Ekdal.

Top Channel