Ukraina në zgjedhje parlamentare

26/10/2014 00:00

Ukrainasit votojnë sot për zgjedhjet parlamentare, të cilat konsiderohen gjerësisht si zgjedhje që do të formojnë një Parlament pro-perëndimor si dhe do të forcojnë mandatin e Presidentit Petro Poroshenko, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit në Lindje të vendit, por që mund të nxisë të tjera tensione me Rusinë.

Votimet kanë nisur me një mot të ftohtë por me diell në Kiev, në zgjedhjet e para parlamentare që prej protestave nëpër rrugët e kryeqytetit, dimrin e kaluar, që detyruan liderin e mbështetur nga Moska, Viktor Yanukovych të largohej nga vendi, ndërsa në vend të tij të zgjidhej një udhëheqës pro-perëndimor si Poroshenko.

Një grupim politik në mbështetje të Poroshenkos pritet të bëhet forca kryesore në Parlamentin prej 450 vendesh të Ukrainës, duke i dhënë atij një mandat të fuqishëm për të çuar përpara planin e paqes për Lindjen, si dhe për të ndërmarrë reforma të thella në Ukrainë, që kërkohen nga partnerët e Bashkimit Europian.

Poroshenko tha përmes një fjalimi televiziv gjatë së shtunës se kërkon një mazhorancë bindëse nga këto zgjedhje, gjë që do të siguronte mbështetjen për ligjet e rëndësishme në mbështetje të axhendës pro-Europës, si dhe për të lënë pas krahëve të kaluarën sovjetike të vendit.

“Me mazhorancën aktuale në Parlament, programi i Presidentit do të mbetet vetëm në letër”, tha ai gjatë fjalimit.

Duke ulur në minimumin historik influencën proruse dhe me nisjen e një axhende të fortë integruese europiane, ky pritet të jetë një nga Parlamentet më radikale që kur Ukraina fitoi pavarësinë në vitin 1991.

E megjithatë, lindja e kësaj force të fuqishme për një Ukrainë të bashkuar drejt Europës mund të shkaktojë përkeqësim të marrëdhënieve me Rusinë, të cilën Kievi e akuzon për mbështetjen e rebelëve në konfliktin e Lindjes, i cili ka vrarë mbi 3700 persona dhe ka shkatërruar ekonominë e vendit.

Ende nuk ka raportime për përplasje të rënda gjatë natës në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut, ku mbizotëron një armëpushim i brishtë që prej 5 Shtatorit, por që herë pas here është shkelur…

Deri më tani, të gjitha partitë kryesore kanë bërë fushatë mbi nevojën për të luftuar korrupsionin dhe për t’i dhënë fund konfliktit në Lindje por duke mbajtur nën Ukrainë dy rajonet, Donjeck e Luhansk.

Pas paralajmërimit të kryeministrit Arseny Yatseniuk për sulme të mundshme “terroriste”, më shumë se 60 mijë policë janë vendosur në ruajtje të vendvotimeve, kandidatëve dhe selive të partive anembanë vendit. Ukraina ka pasur një popullsi prej 46 milionë banorësh përpara konfliktit, ndërsa tashmë duhet të bëjë llogaritë pa gadishullin e Krimesë, së aneksuar prej Rusisë.

Pragu i pranimit në Parlament është 5%, ndërkohë që shumë parti kanë listuar veteranë lufte dhe aktivistë të “Euromaidan”-it si kandidatë. Vendvotimet janë hapur në 08:00 dhe do të mbyllen në 20:00, ndërkohë që rezultatet e para të “exit-poll”-eve priten menjëherë.

Rreth 2 mijë vëzhguez përfshi edhe një ekip prej 800 personash nga OSBE janë në Ukrainë për monitorimin e zgjedhjeve dhe procedurave të votimit. Shumë votues nuk do të mund të votojnë në Krime dhe në Lindje, ku separatistët kanë kontrollin, gjë që nënkupton se do të zgjidhen plot 423 deputetë dhe jo 450 sa totali.

Top Channel