Afganistan, boshatiset Helmandi nga “të huajt”

26/10/2014 00:00

Njësia e fundit e Marinës amerikane dhe trupat e fundit luftarakë britanikë në Afganistan kanë përfunduar zyrtarizht operacionet e tyre këtë të diel, teksa kanë bërë gjithçka gati për të lënë vendin, duke i transferuar një bazë masive ushtarake ushtrisë afgane.

Flamujt amerikanë dhe britanikë janë ulur për herë të fundit për t’u palosur, në selitë rajonale të ushtrisë ndërkombëtare, 13 vite pasi rrëzuan regjimin radikal islamik të talebanëve, gjë që kërkoi edhe atë që mund të konsiderohet si lufta më e gjatë amerikane.

Koha e tërheqjes së trupave nga baza e provincës strategjike të Helmandit nuk është bërë e ditur për arsye sigurie. Kampi Leatherneck është baza më e madhe amerikane që dorëzohet në duart e afganëve, kjo pasi koalicioni perëndimor përfundon misionin luftarak në fund të këtij viti, duke lënë në duart e ushtrisë dhe policisë afgane luftën kundër kryengritësve talebanë.

Forcat britanike dorëzuan në të njëjtën kohë kampin Bastion. Menjëherë pasi trupa e përbërë nga rreth 40 mijë (Komanda Rajonale Jugperëndimore) vetë u bënë gati për largim të dielën, qyteti dukej si një fantazmë e mirëfortifikuar dhe e përfshirë nga pluhuri.

Muret e betonit dhe telat me gjemba mbetën në ruajtje të kazermave të boshatisura në pjesët ranore, zyrat u zhveshën, ndërsa bordet e buletinëve u boshatisën nga fotot kushtuar trupave të rënë amerikanë.

“Është gjithçka e boshatisur tashmë. Kur erdha këtu kishte ende lëvizje, pasi kishte shumë shërbime dhe njerëz aktivë”, tha kapiteni i Marinës Ryan Steenberge, taskforca e të cilit mbikëqyrte sigurinë e të tërhequrve dhe do të jetë e fundit që do të largohet nga vendi. “Duket e çuditshme që po hiqen gjithë këto gjëra”.

Pas tërheqjes së anglo-amerikanëve, Korpusi i 215 i Ushtrisë Kombëtare Afgane do të ketë selinë në një bazë prej rreth 2600 hektarësh, duke mos pasur thuajse asnjë prezencë të huaj ushtarake në Helmand.

Provinca, e cila prodhon rreth 80-90 përqind opium e që ndihmonte në financimin e kryengritjes së talebanëve është përballur me luftime të ashpra këtë vit, teksa talebanët dhe forcat aleate të tyre kanë synuar të pushtojnë rajonin e Sanginit nga ushtria dhe policia afgane. Kjo ka bërë të ngrihen dyshime mbi besueshmërinë e forcave afgane për të mbajtur larg talebanët pa mbështetjen ajrore dhe shërbimet inteligjente të Shteteve të Bashkuara apo aleatëve të tjerë.

Top Channel