Brazili vendos sot, Rousseff në avantazh ndaj Neves

26/10/2014 00:00

Brazilianët votojnë këtë të diel në balotazhin e kontestuar zgjedhor, që vendos përballë njëri-tjetrit një Presidente të majtë, me mbështetje të madhe mes të varfërve, dhe një senator të qendrës, i cili premton politika pro-bizneseve për t’i dhënë një rifillim të ri ekonomisë stanjative.

Sondazhet i japin një avantazh të lehtë Presidentes në detyrë, 66-vjeçares Dilma Rousseff, e cila kërkon mandatin e dytë katërvjeçar në krye të vendit. Partia e saj e Punëtorëve e ka mbajtur pushtetin për 12 vjet dhe ka shfrytëzuar “boom”-in ekonomik për të zgjeruar programet mbi mirëqenien sociale dhe për të larguar mbi 40 milionë njerëz nga varfëria.

Por, shumë votues besojnë se Aecio Neves, një ish-guvernator shteti tashmë 54-vjeçar, i cili ka mbështetje të fortë nga klasa e mesme dhe e lartë e shoqërisë braziliane, ofron ndryshimin e shumëdëshiruar për ekonominë më të madhe të Amerikës Latine. Rritja ekonomike prej një dekade arriti kulmin në vitin 2010 me 7,5 përqind, ndërkohë që ka qëndruar e pandryshuar që kur Rousseff mori pushtetin.

Pavarësisht problemeve të shumta dhe skandaleve të korrupsionit që kanë karakterizuar fushatën që prej raundit të parë të votimeve, më 5 Tetor, votuesit priten të jenë sërish të ndarë mes atyre që ndihen më mirë pas ardhjes në pushtet të Partisë së Punëtorëve, dhe atyre që besojnë se mbretërimit të saj, pak rëndësi se sa e suksesshme ka qenë, nuk do të prodhojë më rezultat.

“Harrojini zhurmat nga të dyja krahët”, tha Alexandre Barros, një konsulent politik në kryeqytetin Brasilia. “Kjo është një zgjedhje individuale nga secili votues, të cilët interesohen se çfarë ofrojnë këta kandidatë për vet ata dhe jo të tjerët”.

Rousseff ka premtuar zgjerimin e programeve të mirëqenies dhe synon të rikthejë rritjen ekonomike me një ekip të ri të kësaj fushe.

Neves synon gjithashtu të ruajë përfitimet sociale, ndërkohë që kërkon të adoptojë më shumë masa fiskale “miqësore” në lidhje me shpenzimet publike, të mbajë një qëndrim më të ashpër kundër inflacionit dhe t’i japë Bankës Qendrore më shumë autonomi për të caktuar politikat monetare.

Top Channel