Ebola, Power dënon përgjigjen e “papërgjegjshme”

26/10/2014 00:00

Ambasadorja amerikane në OKB ka nisur vizitat e saj në tre prej vendeve të prekura më rëndë nga përhapja e Ebolës, gjatë të cilave ka kritikuar nivelin e mbështetjes ndërkombëtare deri më tani. Samantha Power ka zbritur fillimisht në Guine dhe do të vizitojë më pas Sierra Leonen dhe Liberinë.

Në një deklaratë për “NBC”, Power ka thënë se vendet që kanë ofruar mbështetje, “ende nuk kanë marrë përgjegjësitë e tyre” në lidhje me furnizimin me ndihma dhe mjekë. Më shumë se 100 mijë persona janë prekur nga virusi i Ebolës, i cili deri tani ka shkaktuar 4922 viktima, sipas shifrave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Shumica e viktimave janë shënuar brenda Sierra Leones, Liberisë dhe Guinesë, duke i bërë këto 3 vende më të goditurat nga kjo fatkeqësi.

Duke u ngjitur për në bordin e avionit me të cilin do të udhëtonte drejt Afrikës, Poëer është shprehur për mediat amerikane se “përgjigja ndërkombëtare ndaj Ebolës duhet të rritet në një shkallë tërësisht të ndryshme nga ajo aktuale”.

“Ka vende në OKB, ku unë punoj çdo ditë, që po nënshkruajnë rezoluta dhe po lavdërojnë punën e mirë që Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe disa të tjerë po bëjnë, por ata vet nuk kanë marrë përgjegjësitë e tyre për të dërguar krevatë, mjekë apo sasira të arsyeshme parash”m është shprehur Samantha Power.

Ajo do të vizitojë qendrat e koordinimit kombëtar ndaj Ebolës dhe do të takojë punonjësit e SHBA-ve dhe OKB-së, edhe pse nuk është ende e qartë nëse ajo do të takohet me të mbijetuarit e këtij virusi.

Power tha gjatë javës së kaluar se komuniteti ndërkombëtar “jo thjesht që është duke humbur garën me Ebolën, por edhe po parakalohemi”, duke lavdëruar në veçanti Kubën, – edhe pse nën embargon amerikane prej dekadash – që ka dërguar mjekë në Sierra Leone.

Top Channel